Ka përfunduar mesditën e sotme kampionati kombëtar i 15- 16 vjeçarëve në boks. Vllaznia ka arritur të nxjerrë tre sportistë në finale dhe nga ato, dy prej tyre janë shpallur kampionë në peshat respektive. Bëhet fjalë për Kont Çamukun që ka triumfuar në peshën 79 kg si dhe për Florian Mullinajn që ka dalë kampion në peshën 80 kg. Sportisti tjetër- Izmir Alija ka humbur në finale ndaj një boksieri të ekipit privat Enea. Ndeshjet e zhvilluara në dy ditët e këtij kampionati, kanë patur një rivalitet të kënaqshëm në mes boksierëve pjesmarrës të 7 ekipeve.
Vllaznia në fakt nuk i ka kushtuar shumë rëndësi këtij kampionati teksa e rëndësishme për trajnerët e këtij ekipi, Limanin dhe Çekinin ka qenë evidentimi i 3-4 sportistëve me të ardhme. Në fakt ata sportistë tashmë janë evidentuar e këtu futen boksierët që dolën në finale por edhe Hurmi që boksoi mjaft mirë në gjysmëfinale megjithatë nuk arriti të fitonte edhe për shkak të vendimit të gjyqtarisë ndoshta. Në këtë mënyrë është lënë pas tashmë kampionati i 15-16 vjeçarëve për t’i lënë rradhën atij të 17-18 vjeçarëve. Edhe ai me shumë siguri do të zhvillohet në Shkodër javën e ardhshme. Kjo ngaqë Vlora, qyteti i zgjedhur nga kryesia e Federatës për zhvillimin e këtij aktiviteti, nuk e ka marrë përsipër atë por ndërkohë Shkodra është treguar sërish e gatshme për të pritur boksierët e rinj nga e gjithë Shqipëria.
www.shkodrasport.com