Kontrata që pritet të nënshkruajë sot Agim Canaj do jetë njëvjeçare, pra deri në fund të sezonit 2013-14. Por nga sa merret vesh ajo ka edhe një opsion për një të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër nëse gjërat shkojnë mirë. Kjo ka qenë kërkesë dypalëshe në fakt dhe është miratuar pa asnjë problem. Vllaznia ka nisur një projekt për ringritjen e saj dhe ka në plan që brenda 2-3 sezonesh të ndërtojë një ekip pretendent për titull. Në kushte të tilla, do shihet puna e Canajt në sezonin e parë dhe nëse palët janë të kënaqura, kjo kontratë do shtyhet edhe për të paktën një sezon tjetër.
Stafi,risia është ndihmësi i Canajt, Samuel Nikaj
Krahu i djathtë i Agim Canajt në pankinën e Vllaznisë për sezonin e ri do të jetë Samuel Nikaj. Ai ka punuar për disa vite me Akademinë Vllaznia duke qenë shumë i suksesshëm dhe duke merituar disa trofe me këto ekipe. Në dy sezonet e fundit ndërkohë ka drejtuar ekipin e Adës në kategorinë e parë si dhe në 6 muajt e fundit ka qenë drejtor sportiv tek Burreli. 36 vjeçari dallohet për temperamentin e lartë të punës dhe për më tepër, shumë prej elementit të ri që është aktualisht tek ekipi i parë i Vllaznisë, ka kaluar nëpër duart e tij. Kjo është një arsye më tepër pse drejtuesit e klubit e kanë votëbesuar atë për të qenë zëvendëstrajneri i ri i Vllaznisë. Vetë ai në fakt ka kohë që flet edhe nëpër media për një besim më të madh që klubi duhet të ketë tek elementi i ri shkodran. Dhe tashmë që ai do të jetë pjesë e stafit, do të ketë mundësinë që bashkë me Canajn t’ua japë këtë shans këtyre të rinjve duke shpresuar që ata të mos i zhgënjejnë. Ndërkohë, trajner i portierëve do të jetë sërish Elis Legata ashtu si dhe në dy sezonet e fundit. Ky do jetë stafi që do drejtojë kuqeblutë në sezonin e ri, një staf me energji rinore Brenda ashtu siç do jetë edhe ekipi në fushën e stërvitjes dhe të lojës.