Manchester City është lider i Premier League, me 11 pikë avantazh mbi të dytin, i kualifikuar herët për në fazat e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve dhe, e vetmja ndeshje kur ka humbur këtë sezon ishte pikërisht në momentin ku asgjë nuk luhej: ditën e fundit të fazës grupore. Skuadra e Pep Guardiola ka një ecuri të jashtëzakonshme në këtë sezon, ndaj klubi anglez dëshiron të zgjasë kontratën e trajnerit katalanas. Guardiola nënshkroi për tri sezone në verën e vitit 2016, kështu që ka ende një tjetër për t’i kompletuar tri vitet e plota me Manchester Cityn, të njëjtën kohë që kaloi edhe në krye të Bayern Munich. Megjithatë, sipas shtypit anglez, “qytetarët” do të negociojnë një zgjatje katërvjeçare të kontratës gjatë verës që vjen, në të cilën Guardiola do të bëhet trajneri më i paguar në botë. Nga 16 milionë paundë, që merr aktualisht, pritet të shkohet në kuotën 22 milionë paundë, me qëllim të vazhdimit të një “dinastie”, në të cilën, pavarësisht rezultateve të arritura gjatë këtij edicioni, ende nuk ka tituj.

Manchester City është i kënaqur me Guardiolën dhe anasjelltas. Ndikimi global i rezultateve është rritur dhe “qytetarët” kanë dhënë një model, me të cilin do të konkurrojnë kundër çdo fuqie europiane. Pep ka qenë në gjendje që ta rrethojë veten me njerëzit e tij në stolin e skuadrës angleze, njësoj si te Barcelona në Mynih. Një tjetër faktor përcaktues është mosha e re e skuadrës së Manchester City. Mosha mesatare ka rënë në mënyrë të konsiderueshme në këtë sezon dhe, me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, që e ka nënshkruar, do të dëshirojë të vazhdojë të udhëheqë në fushë lojtarë si Sterling (23 vjec), Sane (21), Bernardo Silva (23), Gabriel Jezusi (20), Stone (24), De Bruyne (26), Mendy (23), Ederson (23)…telesport.al