Të shtunën nis kampionati i kategorisë së parë dhe përballja e parë e Vllaznisë është ajo që do të luajë në Shkodër ndaj Korabit të Peshkopisë.

Ky i fundit duket se po kalon momente të mira edhe nga ana financiare sepse kohët e fundit ka gjetur sponsor. Ka qenë firma “Greemed shpk” e cila ka kompletuar ekipin me bazë materiale kohët e fundit.

Por përveç kësaj, presidenti i kësaj kompanie Adil Cani ka vendosur t’i motivojë edhe më shumë futbollistët dibranë.

Për këtë arsye, ai ka vendosur të akordojë një shpërblim në rast të marrjes së një rezultati pozitiv në Shkodër. “ Ndihem krenar që po jap ndihmën time për ekipin e vendlindjes dhe nuk do ta lë me kaq.

Duke filluar nga ndeshja me Vllazninë, kam menduar që të vendos premio për rezultat pozitiv. Ndaj kërkoj impenjim maksimal në të gjitha ndeshjet si në shtëpi ashtu edhe në transferta.

Mbështetja ime nuk do të mungojë, mjafton që të mos diskutohen objektivat. Gjithsesi synimet janë madhore, pse jo, të tentohet dhe rikthimi në Superiore”.
© shkodrasport.com