Kosova ka filluar në ditën e djeshme grumbullimin në kuadër të dy sfidave në Ligën e Kombeve, ndaj Moldavisë dhe Greqisë, respektivisht më datat tre dhe gjashtë shtator. Dardanët do të kërkojnë t’i bëjnë një start pozitiv kompeticionit, ndërsa në konferencë për shtyp, kapiteni Amir Rrahmani shprehet se kanë rrezikuar për të përfaqësuar Kosovën si pasojë e COVID-19 dhe disa preh tyre kur të kthehen në klubet përkatëse do të jenë të detyruar të zbatojnë karantinën për dy javë.
“Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur jemi grumbulluar herën e fundit dhe normalisht që na kanë munguar këto ndeshje me përfaqësu vendin tonë. Nuk është e lehtë, shkaku i pandemisë dhe natyrisht do të luajmë pa tifozë. Do të jenë ndeshje ndryshe, shpresojmë ti kalojmë me sukses.
Na duhet rezultat pozitiv, për këtë arsye kemi ardhur, për këtë kemi rreziku, pasi ndoshta disa kur të kthehen do të bëjnë dy javë karantinë, por të gjithë duan të përfaqësojnë vendin e vet kështu që shpresojmë fillimisht për një rezultat pozitiv me Moldavinë e më pas të bëhemi gati për Greqinë”, u shpreh Rrahmani. /VipSport/