Kosova nuk e ka mbyllur ashtu siç do të dëshironte këtë edicion të kualifikueseve të EURO 2024. “Dardanët” janë mundur në shtëpi nga Bjellorusia dhe e kanë mbyllur grupin e tyre në vendin e parafundit,
Kosova rastet më të mira për gol i pati me Vojvodën, Muslijën dhe Bytyqin, por që goditjet e tyre u ndalën me sukses nga portieri mysafir.Mysafirët shënuan gol në minutën e 43-të përmes Dmitri Antilevski, i cili e zuri në befasi portierin Visar Bekaj pasi ai spastroi një top nga zona dhe ishte jashtë vijës së portës.
Në pjesën e dytë Kosova ishte më kërkuese duke u munduar ta gjejë golin e barazimit.Rasti i parë serioz për Kosovën në 45 minutëshin e dytë erdhi në minutën e 52-të por goditjen e Qëndrim Zybës e priti portieri mysafir. “Dardanët” iu afruan golit edhe në minutën e 60-të me Ilir Krasniqin por ai topi nuk arriti të shkojë në kuadratin e portës.
Kosova pati edhe një rast tjetër me Meriton Korenicën në minutën e 69-të por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.Lojtarët e Kosovës protestuan për një penallti në minutën e 85-të por i të njëjtit mendim nuk ishte gjyqtari i cili bëri me shenjë për vazhdimin e lojës.
Deri në fishkëllimën e fundit nuk pati më ndonjë rast të mirë shënimi për Kosovën dhe “Dardanët” e mbyllën me humbje ciklin kualifikues për “Euro 2024”./Telegrafi/
KOSOVË-BJELLORUSI 0-1
43′ Antilevski