U luajtën mbrëmjen e sotme, të tjera sfida eliminatore nga fushata kualifikuese për në Europian. Kosova me një paraqitje mjaft të mirë, nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Bullgarisë.
Pjesa e parë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, u mbyll me rezultatin 0-1 për bullgarët, falë golit me kokë të Bozhikov në minutën e 39-të, por në tërësi ekipi i Shaland dominoi, duke krijuar një sërë rastesh me Rashicën e Celinën.
Me fillimin e të dytës, ishte Zeneli që në minutën e 61-të shënoi me një goditje fantastike nga jashtë zone. Edhe në vazhdimin e lojës, pati sërish tentative, por portieri bullgar u shndërrua në një hero, duke neutralizuar çdo gjuajtje që i shkonte drejt portës.
Gjithsesi, një nisje e mirë për Kosovën, që merr pikën e parë në grupin A, ku Anglia kryeson me 6 pikë të plota, ndërsa sipër “dardanëve” renditet vetëm Bullgaria me 2 pikë, por me një ndeshje më shumë.
Nga rivalet e Shqipërisë, Franca fitoi pastër me shifrat 4-0, në shtëpi ndaj Islandës, ku golat i shënuan Umtiti, Zhiru dhe Mbape, ndërsa me pikë të plota gjendet edhe Turqia, që po ashtu fitoi 4-0 ndaj Moldavisë, me gola të Kaldirim, Aihan, dhe dopietës së Tosun.
Në takimet e tjera, Anglia fitoi me shifrat 1-5 në fushën e Malit të Zi, por me përmbysje, ndërsa Portugalia u ndal vetëm në një barazim 1-1 ndaj Serbisë.