I prezantuar në kampionatin shqiptar, 5 sezone më parë tek Elbasani, por gjurmë ai la tek Vllaznia, duke u aktivizuar për tre sezone me radhë si titullarë, kosovari Ilir Nallbani ka rënë së fundmi në “rrjetën” e drejtuesve të Kukësit. Për këtë, ai pritet që të vijë nga vendlindja e tij, në fillim të javës tjetër, për të biseduar me drejtuesit e klubit verilindor për një marrveshje të mundshme për sezonin e ri. Ka qenë tekniku Armando Cungu, që u ka propozuar drejtuesve të Kukësit, që në momentin e parë që mori drejtimin e këtij ekipi, emrin e mesfushorit Nallbani, pasi ia njeh mirë vlerat, duke qenë se e ka patur nën urdhra, gjatë kohës që ai luajti në Shkodër me Vllazninë.

Fillimisht pati një hezitim për këtë lojtarë, i cili në sezonin e fundit u aktivizua me Trepçen në Kosovë dhe nuk dihej mirë forma e tij sportive. Prandaj u hodh ideja, që të vëzhgohej nga afër në ndeshjen e fundit të kampionatit vendas, ku ai u aktivizua në sezonin e fundit. Ishte krye arsyeja kryesore, që trajneri Cungu, së bashku me kolegun e tij Avenir Dani, por edhe zëdhënësin e klubit kuksian Jonuz Hallaçi ndodhën, ditën e enjte, takimin e fundit të kampionatit kosovar, ku luante dhe Nallbani. Paraqitja e këtij të fundit, mësohet, të ketë qenë shumë e mirë, madje duke bërë diferencën në skuadrën e Trepçes, por edhe me kundërshtarët e tjerë. Më pas, ka patur një bisedë kokë më kokë mes mesfushorit kosovar dhe teknikut shkodran, ku ky i fundit i ka bërë të qartë dëshirën e tij, por edhe të presidencës kuksiane, për ta patur në radhët e veta për sezonin e ardhshëm futbollistik. Sipas informacioneve të rezervuara, thuhet se Nallbani nuk ka qenë kundër kësaj mundësie tjetër për të luajtur në kampionatin shqiptar, ndonëse në adresë të tij janë edhe disa oferta të tjera nga superliga shqiptare. Megjithatë do të jetë biseda kokë më kokë mes Nallbanit dhe presidentit Safet Gjici, në fillim të javës, që vjen, që do të vendosë për gjithçka sa i takon mundësinë, që kosovari të veshë fanellën e Kukësit sezonin e ardhshëm. Kjo për faktin, pasi mes tyre do të diskutohet ana financiare, nëse palët mund të gjejnë apo jo akordin mes tyre. Gjithsesi, edhe pse dihen vlerat e Ilir Nallbanit, ndoshta nuk përjashtohet mundësia e ndonjë dite stërvitjeje, në formë prove, me ekipin e Kukësit për t’i bindur edhe të tjerët se sa vlen. Ilir Nallbani konsiderohet si një ndër futbollistët kosovar, më të mirë, që ka mbërritur në kampionatin shqiptar, pas viteve 90-të. Me prezencën e tij, të mundshme, në fushën e lojës, Kukësi do të ketë më shumë personalitet dhe grintë në mesfushë, në raport me çdo kundërshtar tjetër. Gjithsesi bisedimet për anën financiare do të vendosin për gjithçka mes tyre, nëse do të bëhet pjesë e Kukësit Ilir Nallbani apo do të jetë kontigjent i ndonjë ekipi tjetër në superligën shqiptare. Kujtojmë se njëra nga skuadrat që është vënë në gjurmët e tij, është edhe Vllaznia.
Priten edhe sy sulmuesit më të mirë të kampionatit kosovar
Janë të rezervuara informacionet për “ekspeditën” e stafit teknik të Kukësit në Kosovë, sa i takon fruteve të saj, përveç mesfushorit Ilir Nallbani, që e cituam më lart, megjithatë bëhet e ditur se janë pikasur 2-3 lojtarë të tjerë nga ky kampionat. Thuhet se është biseduar me dy prej sulmuesve më të mirë  në Kosovë, duke u kërkuar atij, që të vijnë [ër ndonjë ditë prove në Tiranë, në radhët e Kukësit, e më pas për t’u vendosur për gjithçka sa i takon së ardhmes, për një bashkëpunim të mundshëm. Tekniku Cungu apo edhe presidenca e kësaj skuadre nuk ka dëshirë të japë emra për këtë çështje, megjithatë shpresohet që lojtarët e piketuar me këtë rast, e sigurisht, dhe të kontaktuar për t’u bërë pjesë e skuadrës verilindore, do të jenë së bashku me Nallbanin javës tjetër në kryeqytetin shqiptar, apo edhe ndonjë ditë më vonë, për të biseduar paraprakisht me presidentin Safet Gjici dhe kolegët e tij. Prej kohësh kampionati kosovar, për futbollin tonë, është parë si një “vitrinë” e mirë për të gjetur lojtarë që i përshtaten mjaft mirë superligës shqiptare dhe që kanë shërbyer si “trampolinë”, më pas, për të shkuar drejt Europës. Por të shohim, nëse edhe Kukësi do t’ia arrijë qëllimit.
Alban Hoxha zgjedh Besën, Kukësi insiston duke i rritur ofertën

Vetëm një ditë më parë folëm për portierin Alban Hoxha, ku Kukësi, një javë më parë i kishte bërë një ofertë të mirë, por ky i fundit kishte kërkuar kohë për t’u menduar dhe për të kthyer një përgjigje. Por siç duket nuk ka vonuar dhe përgjigjia ka qenë negative për drejtuesit e kësaj skuadre, që më pas mësohet se ish-portieri i Dinamos dhe i Kastriotit ka zgjedhur ekipin e Besës së Kavajës për sezonin e ardhshëm, të sapo-ngjitur nga Kategoria e Parë. Kjo konfirmohet nga burime të rezervuara. Megjithatë, gjithashtu të njëjtat burime, bëjnë të ditur se presidenca kuksiane ia ka rritur “pazarin” e parë Hoxhës, duke tentuar që ta bëjë për vete, por mesa duket ai e ka bërë zgjedhjen e tij, por edhe ndoshta kërkon të ushtrojë një farë presioni ndaj krerëve të skuadrës verilindore, në mënyrë që t’ia plotojnë me çdo kusht kërkesat e tij financiare. Gjithsesi, pavarsisht nga zgjedhja që mund të bëjë portieri Alban Hoxha, mësohet se mes tij dhe njërit nga donatorët e Kukësit do të ketë dhe një takim tjetër për ta bindur, që të veshë fanellën e kësaj skuadre në sezonin e ri futbollistik 2012-2013. Të shohim se cili do të rezultati i këtij takimi. Ndërkohë që presidenca e kuksiane, në bashkëpunim edhe me stafin teknik, çdo ditë diskuton shumë pista të ndryshme, edhe me emra konkretë, për të afruar lojtarë në radhët e ekipit. Një takim i gjatë, mes drejtuesve të skuadrës së Kukësit është zhvilluar dhe dje, për këtë çështje.

Mejdan ZHIVANI