Gjatë transmetimit të ndeshjes Partizani- Vllaznia ditën e sotme në ekranin e RTSH, sportdashësit shkodranë natyrisht që do të jenë mërzitur me lojën dhe për më tepër me humbjen e skuadrës së tyre ndaj të kuqve por nga ana tjetër, me siguri do të jenë gëzuar nga fjalët e komentatorit të ndeshjes. Në mikrofon ka qenë i mirënjohuri Kosta Grillo i cili dy- tre herë ka përmendur gjatë komentit se disa biznesmenë janë interesuar për të marrë Vllazninë dhe njëri prej tyre madje është shumë pranë.
“Vllaznia nuk po kalon momente të mira dhe prandaj jo më kot, Bashkia Shkodër po sheh mundësinë e privatizimit të saj. Nisur nga lajmet që qarkullojnë, janë disa biznesmenë të interesuar por më afër nga të gjithë duket se është ish- presidenti Valter Fushaj i cili shumë shpejt mund të marrë drejtimin e këtij klubi”- është shprehur Grillo. Një lajm i tillë me siguri që do të ketë gëzuar shkodranët por nuk dihet ende sa të vërteta ka brenda. Mbase komentatori në fjalë është nisur nga deklaratat e fundit në media të vetë Fushajt që ka deklaruar se ka ndër mend të blejë Vllazninë por mbase mund të jetë edhe ndonjë gjë tjetër. E rëndësishme mbi të gjitha është se kjo skuadër duhet patjetër të ndryshojë. Kjo mund të bëhet vetëm nëse në krye të saj vjen një biznesmen sepse ndryshe do të jetë shumë e vështirë.
© shkodrasport.com