Ka luajtur për shumë vite futboll me Vllazninë, duke fituar edhe trofe, ku i fundit është Kupa e Shqipërisë, që kuqeblutë e fituan në 2008-ën në Elbasan, pasi mundën 2-0 Tiranën.
Bëhet fjalë për Uliks Kotrrin, i cili sot jeton në Gjermani, ku ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij.
Largësia nuk e ka penguar asnjëherë të mbajë lidhje me qytetin e lindjes dhe me Vllazninë. Ashtu si shumë ish-lojtarë të tjerë, edhe Kotrri ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e saj.
Të dielën Kotrri ishte në stadiumin “Loro Boriçi”, ku ndoqi ndeshjen Vllaznia-Laçi. Emocionet ishin të mëdha për të, sepse protagonistë ishin dy prej lojtarëve, me të cilët ai ka luajtur te Vllaznia në vitin 2008, Lika dhe Sukaj.
FITORJA ME LACCIN – Në prononcimin për “Sport Ekspres”, Kotrri i gëzohet fitores në ndeshjen e fundit, por thotë se nga loja e kuqebluve ka probleme:
“Të them të drejtën, përveç tri pikëve, që për Vllazninë janë realisht shumë të rëndësishme, nuk pashë asgjë tjetër te skuadra jonë.
Aspak i kënaqur nuk jam nga Vllaznia dhe këtu kam parasysh faktin që filloi ndeshjen 1-0, me penallti dhe karton të kuq për kundërshtarin.
Për pjesën tjetër të ndeshjes ndoshta kishte nënvleftësim, ndoshta presioni i marrjes së trepikëshit e ndryshon disi Vllazninë në lojë, por u pa qartë se skuadra nuk ishte aty ku duhet.
U munduan të shënonin sërish gol, por jo në mënyrë natyrale loje. Mendoj se gjithçka ka të bëjë me ngërçin psikologjik, asgjë më shumë.
Kemi lojtarë cilësorë, që e luajnë topin dhe dinë të bëjnë diferencën. Është për t’u habitur se epërsia te Vllaznia ishte prezente, por duhet të futemi te këpucët e lojtarëve, tek lëkura e tyre, që të kuptojmë çfarë nuk shkonte.
Sipas meje, duhej të shfrytëzohej më mirë situata e krijuar te kundërshtari, që të mos kishte ankth deri në fundin e takimit.
Nuk e di, por mund të kenë qenë emocionet dhe detyrimi për fitore, që e zbehën vrullin e Vllaznisë në pjesën e dytë”, – është shprehur Kotrri, i cili është i lumtur për fitoren.
MBIJETESA – “Me gjithë lojën jo të kënaqshme që paraqiti ndaj Laçit, them se duhet marrë pozitivisht ajo ndeshje.
Janë edhe pesë finale dhe për mua është gjithçka e hapur. Ndeshja e radhës është me Flamurtarin, që ka ndërruar trajner.
Kundërshtari është nën presion dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë fakt. Flamurtari është njëra prej finaleve që Vllaznia ka në këto javë dhe që duhet ta kalojë me sukses.
Asnjë pikë nuk duhet të lëmë, pastaj për të parë ndeshjen me Kamzën, që ka një rëndësi më të madhe nisur nga rivaliteti për mbijetesë.
Kamza mund ta ketë më të lehtë, sepse nuk ka presionin e Vllaznisë, që nëse do të binte, do të ishte turp i madh.
Është e vështirë të parashikohet çfarë do të ndodhë, pasi Kamza luan futboll mirë, por besoj se Vllaznia do t’ia dalë edhe këtë radhë. Vllaznia ka forca për të qëndruar në Superligë”, ka shtuar Kotrri.
TITULLARËT – Kotrri evidenton faktin se Vucaj, Lika dhe Sukaj janë ata që duhet ta marrin skuadrën për dore: “Nuk kam qenë asnjëherë me Vllazninë në këto situata kur kam luajtur, prandaj nuk mund të futem në situatat e futbollistëve.
Por e rëndësishme është që në skuadër ka lojtarë cilësorë si Sukaj, Vucaj dhe Lika. Ata duhet ta marrin ekipin përpara.
Vllaznia ka kualitet dhe them se do t’ia dalë në përballjen me vlonjatët. Për mua e rëndësishme është ana psikologjike, që duhet të jetë sa më e mirë.
Nuk duhet të ketë ngarkesë. Me lojtarët kam kontakt të përditshëm dhe flasim gjithnjë për këtë teme, mundohem t’i mbush me pozitivitet.
E ripërsëris, Vllaznia ka kualitet. Vucaj, Lika dhe Sukaj, për mua janë lojtarë klasi për kampionatin shqiptar dhe them se do të jenë ata që do ta marrin skuadrën për dore, për të siguruar mbijetesën”, – ka theksuar Kotrri./sport-ekspres/