Detyra më e vështirë për trajnerin e Bajernit, Niko Kovaç, duket se është të bëjë formacionin e parë në ndeshjen ndaj Union Berlinit. Cila do të jetë risia e radhës dhe kush është ai që do të sakrifikohet për hir të rezultateve?
Me përjashtim të repartit të mbrojtjes, ku alternativat për të zëvendësuar të dëmtuarit Niklas Zyle dhe Lukas Hernandez, janë problemi i vërtetë i trajnerit të Bajernit.
Sipas ish-lojtarit bavarez, aktualisht opinionist te “Sky”, Ditmar Haman, Kovaç nuk ka kurajën e duhur të lërë lojtarë të rëndësishëm në stol. Fjala është për brazilianin Filipe Kutinjo. “Ka një ndryshim të madh midis lojës jo të mirë dhe të keqe. Kutinjo po luan momentalisht shumë keq. Ai luan prej disa ndeshjesh në formacionin e parë dhe nuk ka treguar aspak rritje në lojën e tij, – tha Haman.
– Personalisht do të më pëlqente të shihja Tomas Mylerin nga minuta e parë në ndeshjen ndaj berlinezëve. Prapa Levandovskit, Tomasi do të bënte atë që di më mirë, të ndihmojë skuadrën dhe të shënojë”.
Haman është kundër shitjes së 29-vjeçarit dhe tregon se Bajerni do të bënte një gabim të madh, nëse do ta lejonte atë të largohej: “Një largim i Tomasit në janar do të ishte një gabim fatal për bavarezët.
Mendoj se Myler është një lojtar më i vlefshëm për skuadrën se Kutinjo. Ai është një simbol i kësaj skuadre ndaj drejtuesit duhet ta mendojnë mirë para se të mendojnë një lëvizje të tillë”.