Ecuria e skuadrës shkodrane sivjet ka patur brenda jo pak problematika dhe kjo në fakt reflektohet edhe tek renditja e saj. Mjafton të krahasosh ecurinë e Vllaznisë aktuale pas 8 javësh kampionat, me atë të një sezoni më parë në të njëjtën periudhë dhe duket qartë se sivjet gjërat nuk janë mirë. Vetëm 6 pikë ka arritur të grumbullojë skuadra në ndeshjet e deritanishme, falë një fitoreje dhe tre barazimesh ndërkohë që ka edhe katër humbje të pësuara.

Në të njëjtën periudhë vjet ajo kishte 10 pikë, plot 4 më shumë. Një gjë e tillë duhet kompesuar patjetër sepse kampionati i sivjetëm duket se do të jetë shumë më i fortë. Edhe Lushnja që u duk e dorëzuar, po jep “shpresa jete” dhe është vetëm një pikë larg kuqebluve. Për këto arsye, Vllaznia duhet patjetër të rikuperojë sa më parë pikët sepse gara sa vjen e vështirësohet dhe me kalimin e javëve gjërat do të bëhen edhe më të vështira. Pika e marrë në Kukës nuk duhet t’i gëzojë futbollistët dhe stafin teknik, përkundrazi t’i vërë para përgjegjësisë për të bërë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme.

© shkodrasport.com