Vllaznia-Dinamo 6-3 ishte një spektakël që shihet rrallë në kampionatin shqiptar. Jo vetëm për numrin e lartë të golave, por për situatat dramatike që u krijuan me përmbysje rezultatesh, gola të shkëlqyer dhe një nivel futbolli që nuk ka lidhje me barazimet e lodhshme të këtij sezoni (13), çka janë vërtetë shumë.
Meritë për një mbrëmje kaq argëtuese sa e djeshmja e kanë të dyja skuadrat, por nëse do të bënim një analizë “në të nxehtë” të ndeshjes binin në sy diferenca të mëdha mes dy skuadrave. Le t’i marrim me radhë:
– Vllaznia është një skuadër më e konsoliduar sesa Dinamo që ndryshoi 23 lojtarë këtë verë. Janë nënkampionë dhe jo të rikthyer pas 9 vitesh mungesë…
– Vllaznia ka një sulm fantastik të udhëhequr nga Liridon Latifi që bën diferencën edhe kur nuk është në formë, ndërsa Dinamo është shumë e varur nga Ibraimi.
– Të dyja skuadrave u mungonin qendërmbrojtës të rëndësishëm (Adili dhe Sofranaku), por Vllaznia filtron më mirë në mesfushë dhe lojën nga krahët e ka më efikase sesa Dinamo.
– Shkodranët e njohin potencialin e tyre dhe sulmojnë me vetëbesim, ndërsa Dinamo ndoshta duhet të bëjë më shumë llogari kur ka përballë një kundërshtar kaq të rrezikshëm. Nuk mund t’i sulmojë të gjithë njësoj.
– Vllaznia ka më shumë personalitet dhe nuk u dorëzua ndonëse pësoi gol që në start, ndërsa Dinamo nuk arriti t’i ulte ritmin ndeshjes edhe kur ishte në avantazh./panorama-sport/