Tirana është duke kryesuar edhe në këtë fazë të kampionatit të Superiores, pavarësisht se rivaliteti është shumë i ashpër. Vllaznia dhe Partizani gjenden aty për të ndërruar vendet me bardheblutë në gabimin e parë të tyre.
Por sa shumë ndryshon kjo renditje e Superiores me atë të një sezoni të parë, deri në javën e 21? Ashtu si tani, edhe në sezonin e shkuar Tirana gjendej në vendin e parë, por me 46 pikë të grumbulluara në 21 javë, jo 37 sa tani.
Partizani ka 5 pikë më shumë në këtë sezon pasi ka arritur të marrë 34 pikë në 21 javë, ndërsa vjet kishte grumbulluar 29 të tilla në po kaq javë. Sa i përket Vllaznisë, shkodranët duken “copy paste” pasi në të dy rastet si në sezonin e shkuar dhe tani, kanë po të njëjtën numër pikësh, 34.
Ajo që vihet re në përgjithësi është një numër më i vogël pikësh i ekipeve kryesuese në këtë sezon krahasuar me vjet, por një numër më i madh pikësh i ekipeve të vendeve të fundit krahasuar me vjet, për të treguar qartë kompensimin e tyre.