Prej dy sezonesh ka punuar fort dhe natyrisht që kur ke sukses, ndjehesh i lumtur. Kështu i ka ndodhur ish- futbollistit të Vllaznisë Ervis Kraja i cili pas lënies së sportit, ka nisur karrierën e trajnerit. Pa pretendime të mëdha, mori përsipër drejtimin e ekipit Vllaznia B me të cilën filloi rrugëtimin nga kategoria e tretë. Pa u mërzitur, punoi fort dhe pas një sezoni, bashkë me të e pa veten një kategori më lart.
Vazhdoi të punojë sërish me të njëjtën dëshirë dhe në fund të sezonit që lamë pas, bashkë me Vllazninë B arritën një rezultat historik, ngjitjen e saj në kategorinë e parë. Duke u bërë kështu, i pari klub me dy ekipe në kategoritë profesioniste të futbollit shqiptar. Ndërkohë Kraja ka më tepër se një muaj që ka nisur bashkë me ekipin përgatitjet për sezonin e ri. Po bëhet një punë shumë e mirë dhe për më tepër, në rradhët e tij janë emra shumë të njohur të futbollit shqiptar. Por për trajnerin e Vllaznisë B, është pak e pakuptueshme anashkalimi që i bën media këtij ekipi. “Shohim dhe lexojmë çdo ditë në media për ekipet e tjera të kategorisë së parë që gjoja bëjnë blerje të bujshme dhe përmenden emra që askush nuk i njeh por ndërkohë tek ekipi jonë janë emra si Bekim Dema, Arsen Hajdari, Arenc Dibra, Bekim Erkoçeviq, Ari Djepaxhia e të tjerë që kanë luajtur me shumë sukses në Superligë por për ta nuk ka asnjë fjalë. Nuk e kuptoj një gjë të tillë. Ky ekip, këta djem meritojnë më shumë vëmendje sepse në fund të fundit përfaqësojnë Vllazninë”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com