Fitorja e sotme ndaj Burrelit ka qenë e treta rradhazi për ekipin “Vllaznia B”. Një ecuri e shkëlqyer e tij në këto ndeshjet e fundit, çka ka bërë të harrohet ajo nisje jo e mirë e kampionatit. Gjërat së fundmi po funksionojnë ashtu si duhet dhe tashmë kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Ervis Kraja nuk kanë të ndalur. Madje ecuria e fundit shoqëruar me tre fitoret e fundit, pritet të mos ndalet këtu. Trajneri Kraja në një prononcim për mediat pas takimit të sotëm është shprehur:
“Fitorja ndaj Burrelit ka qenë e pritshme për ne sepse po gëzojmë një formë të mirë sportive. Krijuam shumë raste shënimi megjithatë vlen edhe një gol për të marrë këtë trepikësh që na bën të jemi edhe më te qetë në renditje. Na ka penalizuar shumë humbja në fushën tonë me Dinamon e cila ishte e pamerituar. Nëse do ta kishim fituar edhe atë, sot do të flisnim ndryshe megjithatë besoj se jemi në rrugën e duhur. Kalendarin e fazës së dytë e kemi të favorshëm dhe besoj se do të arrijmë objektivin tonë për të qenë në mes pesë ekipeve më të mira të kampionatit”.
© shkodrasport.com