Vllaznia B luan një transfertë tepër të vështirë këtë fundjavë përballë Besës së Kavajës, ndeshje e cila mund të vendosë fatet e skuadrave në luftën për mbijetesë.

Në prag të kësaj sfide, ka folur për “RTSH”-në, trajneri i shkodranëve, Ervis Kraja, i cili ka treguar se skuadra e tij ka një vit pa u paguar, por kjo gjë nuk do t’i pengojë futbollistët dhe stafin për të shpëtuar Vllazninë.

Ai është shprehur se do ta kënaqte një barazim në Kavajë, gjë e cila do të shpëtonte Vllazninë.

“Këto ndeshje janë si finale dhe tashmë luajmë finalen ndaj Besës. Shkojmë për të bërë lojën tonë dhe kërkojmë një rezultat pozitiv.

Shpresoj për një barazim pasi do të ishte shumë me vlerë për ne dhe them se këto barazime në ndeshjet e kaluara ndaj Besës kanë qenë thjesht rastësore pasi më parë kemi arritur të dalim të fituar.

Pagat? Kjo skuadër mund të ketë një vit pa u paguar por ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë skuadër dhe të luftojmë deri në fund për të siguruar mbijetesën.

Jemi zotuar që të gjithë që së bashku të shpëtojmë Vllazninë nga rënia nga Kategoria”, u shpreh Ervis Kraja. /Vipsport/