Ervis Kraja, trajneri që mbylli sezonin e kaluar në krye të skuadrës, është një nga emrat që pritet të konfirmohet sërish në “timonin” e kuqebluve në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.
Për pankinën shkodrane në këtë periudhë janë disa kandidatura.Por, nga sa mësohet, një nga kandidaturat kryesore për të marrë drejtimin e kësaj skuadre është ajo e Ervis Krajës.
Ky i fundit drejtoi Vllazninë B gjatë kampionatit të kaluar, ndërsa zëvendësoi Ernest Gjokën në krye të ekipit të parë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit.
Megjithatë, nga sa mësohet, për drejtimin e Vllaznisë ka shumë zëra se mund të jetë edhe një trajner i huaj, por kjo është në kuadrin e fjalëve.
Në listë për të marrë drejtimin e skuadrës janë edhe emrat e shkdranëve të mirënjohur si Edi Martini, apo Samuel Nika, Luan Zmijani dhe disa trajnerëve të tjerë shkodranë.
Megjithatë, për momentin ende nuk dihet ekzaktësisht se kush do të drejtojë këtë ekip, si në aspektin administrativ, ashtu edhe në atë teknik.
KRAJA
Një nga kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e skuadrës, Ervis Kraja, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehet: “Më vjen mirë që diskutohet edhe emri im për të marrë drejtimin e ekipit.
Për të gjithë trajnerët shkodranë, por jo vetëm e po ashtu edhe për mua, është një gjë pozitive që të jem në krye të ekipit të parë. Por, për të shkuar drejt realizimit të kësaj dëshire, jo gjithçka varet nga unë.
Do të jenë drejtuesit e rinj që do të vendosin dhe do të marrin një vendim për këtë çështje. Unë mendoj se i kam aftësitë për të drejtuar këtë skuadër, për më tepër pasi kam kaluar një sezon me ekipin e Vllaznisë B në Kategorinë e Parë dhe njoh mirë disa nga lojtarët që do të jenë pjesë e ekipit të parë.
Unë do ta mirëprisja dhe do ta shikoja si privilegj dhe përgjegjësi të madhe që të drejtoj Vllazninë në sezonin e ri”, u shpreh Kraja në prononcimin e tij për gazetën. Fundi i sezonit të kaluar u bë shumë dramatik për klubin Vllaznia.
Fillimisht, ishte Vllaznia B që luajti një finale me Orikumin dhe ia doli ta fitonte pas goditjeve të penalltive.
Por, katër ditë më vonë, Vllaznia ra në Kategorinë e Parë dhe në këtë mënyrë, automatikisht, Vllaznia B bie në Kategorinë e Dytë. Tashmë, të gjithë janë me sytë nga klubi kuqeblu për të parë se çfarë do të ndodhë.