Erdhi në janar pikërisht me këtë qëllim dhe tashmë e ka bërë realitet. Mbrojtësi shkodran Ervis Kraja ka rënë dakord me drejtuesit e lartë të Vllaznisë për të qëndruar edhe një sezon tjetër me këtë skuadër. Në fakt nuk është një firmë e re por është aprovim i një kontrate ekzistuese të mbrojtësit shkodran Ervis Kraja me këtë klubi. Ai erdhi në janar të këtij viti duke firmosur një kontratë 6 mujore me kuqeblutë me të drejtë shtyrje edhe për një sezon tjetër. Pikërisht akordi për këtë gjë është arritur dy ditë më parë teksa Kraja ka marrë garancinë nga ana e kryebashkiakut Luka për vazhdimin e kësaj kontrate deri në fund të sezonit të ri. Lajmi është bërë I ditur për “Shkodra Sport” nga vetë futbollisti kur ka thënë:
“Dy ditë më parë, unë kam patur një kontakt me kryetarin e Bashkisë, z. Lorenc Luka që është njëkohësisht edhe president I Vllaznisë. E kërkova vetë këtë takim për të ditur diçka mbi të ardhmen time. Unë kam aktualisht një kontratë me këtë skuadër, atë që firmosa në janar e cila ishte e vlefshme për një periudhë 6 mujore me të drejtë zgjatje edhe për një sezon tjetër. Por meqë nuk e kisha plotësisht të qartë nëse do merrej parasysh kjo çfarë ishte e shkruar në kontratë, e kërkova këtë takim sepse desha të shkoj për pak ditë me pushime dhe para se ta ndërmerrja këtë hap, desha të isha I qetë për të ardhmen time. Kryebashkiaku Luka më garantoi që kontrata do zbatohet pikë për pikë, çka do të thotë se unë do jem pjesë e Vllaznisë edhe për një sezon tjetër”. Një pohim I tillë I mbrojtësit shtatëlartë ka ardhur përmes telefonit nga Dhërmia, plazhi ku është duke pushuar për disa ditë. Me marrjen e garancisë që ai do jetë pjesë e skuadrës kuqeblu, 29 vjeçari ndjehet shumë I qetë. Njëkohësisht I kënaqur që do të vazhdojë t’I shërbejë skuadrës së qytetit të tij që është njëkohësisht edhe skuadra e zemrës. Duke folur në lidhje me këtë gjë, ai do të shtonte: “Kuptohet që jam I kënaqur me arritjen e marëveshjes për qëndrimin edhe një sezon tek Vllaznia. Kjo është skuadra ime e zemrës dhe ndjehem jashtëzakonisht mirë. Nëse në muajin janar kur erdha, nuk kisha shumë pretendime ngaqë nuk kisha zhvilluar një fazë përgatitore të rregullt, megjithatë arrita të stërvitem mirë dhe të zë një vend në formacion, këtë herë, unë besoj se kam për ta justifikuar besimin e drejtuesve të Vllaznisë edhe më mirë. Jam duke pushuar këto ditë në mënyrë që kur të nisë stërvitja nën drejtimin e professor Duros të jem gati për të dhënë maksimumin. Unë besoj se në sezonin e ri tifozët tanë kanë për të parë në fushë një Vllazni shumë më të fortë se ajo e sezonit që sapo lamë pas. Jam shumë I bindur për këtë. Puna ka nisur herët dhe mendoj se gjërat do bëhen ashtu siç duhet”. Në këtë mënyrë, kontigjenti i skuadrës ka filluar të shtohet dhe në ditët e ardhshme pritet edhe ndonjë konfirmim tjetër. Ervis Kraja I shtohet portierit Vujadinoviç, Smajlit, Sykjes, Gocajt, Hajdarit dhe shumë të rinjve të tjerë që janë aktualisht nën kontratë me Vllazninë.
Gjergj KOLA