Mbrojtësi shkodran Ervis Kraja është shfaqur sot pak i shqetësuar në lidhje me disa komente të bëra në shtypin sportiv teksa aludohej se mosprania e tij në skuadër në ndeshjen ndaj Tiranës, ka qenë një vendim i marrë nga trajneri Vata për gabimet e shfaqura në takimet e mëparshme ndaj Kastriotit dhe Flamurtarit. Vetë Kraja për gazetën online www.shkodrasport.com do të shprehej: “Të them të drejtën nuk më ka ardhur aspak mirë për ato që u shkruan se gjoja mungova unë dhe u zgjidhën problemet e Vllaznisë në mbrojtje apo se trajneri më hoqi nga 18-shja ngaqë kisha gabuar në ndeshjet e mëparshme. Dua të sqaroj publikisht opinion sportiv se e vërteta është tjetër histori. Një ditë para ndeshjes me Tiranën unë kam biseduar shtruar me trajnerin dhe i kam bërë të ditur se nuk ndjehem në formën e duhur për të luajtur në atë ndeshje. Ai më mirëkuptoi dhe bashkarisht vendosëm që të mos isha pjesë e skuadrës për atë ndeshje. Në dy takime të mëparshme, unë madje kam luajtur me kavilje të dëmtuar ndërkohë që edhe formën fizike nuk e kam patur në maksimum sepse siç e dinë të gjithë, unë jam bashkuar me Vllazninë më 30 janar dhe nuk kam bërë fazë përgatitore me të. Pra, duke qenë i vetëdijshëm për formën time fizike dhe duke parë edhe lodhjen e shkaktuar, ramë dakord që të mos isha pjesë e skuadrës në atë ndeshje. Kjo është e vërteta dhe jo ashtu siç është shkruar në gazeta të ndryshme. Nuk ka patur asnjë penalizim nga trajneri dhe askush tjetër”. Kuptohet çdo futbollist ka të drejtë të thotë atë çfarë ai mendon. Në fakt, nëse Kraja nuk ishte as në 18-she për këtë arsye për ndeshjen me Tiranën, fajin për këtë zhurmë të krijuar e ka edhe stafi drejtues për mosbërjen publike të këtij fakti. Ndërkohë duke folur për të ardhmen, Ervis Kraja, mbrojtësi 29 vjeçar shtatëlartë ka thënë: “Unë do jem në dispozicion të skuadrës që në ndeshjen e rradhës me Flamurtarin. Për Vllazninë është një ndeshje e vështirë por shpresojmë që ndaj kësaj skuadre të bëjmë një paraqitje ndryshe nga ndeshja e kupës dhe ta fitojmë atë për të vazhduar në rrugën tonë për t’u renditur në një pozicion sa më komod në renditje”.

www.shkodrasport.com