Në klubin shkodran sigurisht që të gjithë janë të fokusuar tek ekipi i parë por ndërkohë nuk mund të qëndrojë jashtë vëmendjes as Vllaznia B.

E renditur e parafundit në grupin A, për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë, këtij ekipi do t’i duhet të fitojë ndeshjen finale të plej- autit ndaj Orikumit.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që kjo ndeshje të luhet pasditen e së enjtes në orën 16.30 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Pavarësisht se tashmë është i fokusuar maksimalisht edhe tek ekipi i parë, trajneri Ervis Kraja në një prononcim të tij thotë se do të bëhet maksimumi që e gjithë djersa e derdhur nga ekipi B gjatë gjithë sezonit të mos shkojë dëm dhe prandaj do të tentohet fitorja në këtë takim.

“Për një sezon të tërë ky ekip ka sakrifikuar shumë dhe për këtë arsye, duhet ta kurorëzojmë me sukses.

Nuk duhet ta mbajmë mendjen tek ekipi i parë. Djemtë që do të dalin në fushë, duhet të jenë të vendosur për ta fituar ndeshjen ndaj Orikumit.

Besoj se skuadra do të jetë e plotë, madje, pjesë e saj do të jenë edhe disa futbollistë të ekipit të parë”- ka deklaruar ai.

Klubi i Tërbunit të Pukës në fakt ka bërë një kërkesë zyrtare në Federatë që ndeshja Vllaznia B- Orikumi të shtyhet ngaqë në rast të rënies së ekipit shkodran nga Superliga, shumë gjëra mund të ndryshojnë dhe ata mund të përfitojnë.

Por Federata duket e vendosur në punën e vet dhe ka vendosur që ndeshja të luhet pasditen e së enjtes.
© shkodrasport.com