Ndeshja e rradhës në Berat me Tomorin është më e lehtë se ajo që Vllaznia ka zhvilluar dy javë më parë në Ballsh me Bylisin, ndeshje kjo që u pat fituar nga kuqeblutë me rezultatin 1-0. Një mendim të tillë e ka dhënë për gazetarët në konferencën e sotme për shtyp mbrojtësi I skuadrës shkodrane Ervis Kraja I cili e vlerëson këtë ndeshje si të rëndësishme pasi sipas tij presioni më I madh është mbi ekipin beratas por nga ana tjetër ka folur edhe për mosaktivizimin aq sa duhet të tij deri tani. “Unë them se ndeshja në Berat është më e lehtë se ajo që zhvilluam dy javë më parë në Ballsh. Kjo ngaqë Tomori ndodhet në pozita të vështira në renditje dhe do të jetë nën presion për të fituar me çdo kusht ndeshjen ndërsa ne edhe barazimi na bën punë ndërsa do të kërkojmë sigurisht edhe fitoren në këtë ndeshje. Sa i takon aktivizimit tim, unë kam qenë gjithnjë i gatshëm por kuptohet që nuk kam patur hapësirën e duhur sepse në skuadër ka mbrojtësa shumë të mirë e jo më kot edhe trajneri e ka vlerësuar këtë repart si më të mirin. Megjithatë mendoj se edhe kontributi im do të jetë i nevojshëm në ndeshjet e ardhshme”-ka thënë ai. Por ndërkohë gjatë javës së shkoi pati jo pak komente dhe diskutime në lidhje me dyshimet e hedhura edhe nga drejtues të klubit për trukime të disa ndeshjeve të Vllaznisë. Në lidhje me këtë çështje, mbrojtësi Kraja ka thënë se tek ekipi askush nuk ka ardhur të thotë të tilla gjëra. “Më tepër i kemi marrë vesh përmes medias gjëra të tilla. Tek ne nuk ka ardhur asnjë drejtues i klubit të na thotë se ka dyshime. Kjo është një çështje që po bëhet prezent në futbollin shqiptar prej kohësh por asnjëherë nuk ka prova për t’i çuar deri në fund këto dyshime”- është shprehur Kraja. Tomori- Vllaznia në këtë mënyrë ka nisur para kohe. Në kampin beratas deklarojnë se kjo është ndeshja vendimtare për ta ndërsa në atë shkodran shprehen se mundësitë janë për të marrë fitoren. Se çfarë do të ndodhë, këtë do ta tregojë më konkretisht fusha e lojës të dielën në stadiumin e qytetit të Beratit.
www.shkodrasport.com