Pas një periudhe të gjatë, trajneri Kreshnik Krepi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me ekipin e Tërbunit.
Ditën e djeshme, mësohet se ai të ketë komunikuar me kryebashkiakun Gjonaj dhe t’i ketë bërë të ditur se nuk do të vazhdojë më punën me skuadrën.
Ndonëse ende nuk ka një arsye të qartë për largimin e tij, duket se një vendim i tillë është marrë ngaqë në skuadër nuk po vijnë lojtarët e duhur.
Madje edhe ndonjë nga më cilësorët e sezonit të kaluar, është larguar. Kështu, Beci firmosi me Tomorin ndërsa Balaj ka kaluar tek Veleçiku.
Në këtë aspekt, duket se Krepi ka menduar se zgjidhja më e mirë është largimi. Gjithsesi, klubi pukjan ka rinisur punën këtë muaj dhe është riorganizuar, duke emëruar në drejtim dyshen Oltijon Kërnaja-Ergys Neziri, të cilët janë pjesë e klubit prej tre vitesh dhe e njohin mirë ambientin, ndërsa kanë marrë përsipër detyrën e kthimit të Tërbunit në Kategorinë e Parë.
Sot skuadra pukjane nis javën e tretë të përgatitjeve dhe skuadra është duke u ndërtuar me seriozitet. Në ekip është mbajtur boshti i ekipit, me lojtarë si Saliaj, Mezini, Taku, Prendi e Zagani që kanë rinovuar, ndërsa përveç elementeve te rinj janë afruar edhe mesfushorët Denis Taku nga Korabi e Eraldo Xhuveli nga Burreli, si dhe portieri Mateo Baçi.
Ekipi pukjan po stërvitet me dy seanca në ditë dhe synimi i vetëm është kthimi në Kategorinë e Parë, pasi edhe mbështetja e kryebashkiakut Gjonaj është e garantuar, me anën financiare që është e sigurt.