Gjergj KOLA
Kreshnik Krepi trajneri i Veleçikut edhe për sezonin e ri
Kreshnik Krepi do të jetë trajner I Veleçikut edhe për sezonin 2014- 2015. Trajneri shkodran është bindur për të vazhduar punën me këtë skuadër pikërisht pas bisedës së djeshme që ka patur me kryebashkiakun- president Ramadan Likaj. Krepi në fakt ditët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes edhe tek ekipi I Adës sepse presidenti I këtij të fundit Alfred Pjetri po tentonte t’I mbushte mendjen për të drejtuar në Velipojë në sezonin e ri por trajneri shkodran e ka patur detyrim moral që më parë të ulej në tavolinë me drejtuesit e Veleçikut. Dhe biseda me kryebashkiakun I ka dhënë fund çdo dileme teksa ky do të jetë trajneri I këtij ekipi edhe për sezonin e ri. Natyrisht që në kampin koplikas ka patur vlerësim për punën e bërë nga Krepi edhe sezonin e kaluar ku ndonëse kishte shumë pak shpresa për shpëtim nga rënia prej kategorie, në fund ia dolën që të mbijetojnë. Tashmë skuadra e Veleçikut nuk ka kohë për të humbur dhe duke filluar nga e hëna do të nisë stërvitjen. Sipas trajnerit të kësaj skuadre, kontigjenti kryesor I saj do të jetë kryesisht ai I sezonit të kaluar por njëkohësisht do ketë edhe emra të rinj prandaj gjatë kësaj periudhe do të nisë edhe seleksionimi I futbollistëve.