Tomas Myler mund të konsiderohet padyshim si “legjendë e gjallë” te Bajerni, aty ku golat dhe eksperienca e 34-vjeçarit ka dhënë kontribut që prej vitit 2008, periudhë kur Myleri veshi për herë të parë fanellën e klubit më të titulluar në tokën gjermane.
Bundesliga, Kupa dhe Superkupa e Gjermanisë, Liga e Kampioneve, Superkupa e Europës dhe Botërori i Klubeve, “koleksioni” i medaljeve që “plakushi” me numër “25” në Mynih ka mbushur palmaresin, e ku vlen të përmendet dopieta e tripletave, konkretisht ne sezonet 2012-2013 dhe 2019- 2020, vetëm Barcelona e ka arritur një sukses të tillë. Edhe pse vite kanë kaluar nga cikli i “Mylerit të artë”, sulmuesi i Bajernit dëshmon se i ka të gjithë kreditet me bazë statistikore për të konkurruar jo vetëm grupin, por edhe në Europë.
FENOMENAL-Analiza e fundit e mediumit specialist të të dhënave “Opta” ka zbuluar se në vigjiljet të sezonit aktual, Tomas Myler edhe pse është inkuadruar me kohë te pjesshme në urdhrat e Tomas Tuhelit, ai mbart shifra të jashtëzakonshme për moshën, ekzaktësisht krijon 0.82 shanse goli për ndeshje. Futbollisti me origjinë nga Bavaria ka të drejtë të mburret brenda kufijve, teksa në kontinentin e vjetër Bruno Fernandesh ia merr “fronin” me 0.9 shanse për finalizim.
Komponenti në fjalë vë në dukje rëndësinë e lojtarit më të trofeshëm nga gjiri i kampionëve të Bundesligës. Dueli me Kopenhagenin dhuroi tablonë më të qartë se përse Myleri mbetet ende i domosdoshëm në gjirin e Tomas Tuhelit. Ai u aktivizua në minutat e fundit dhe rezultoi deciziv me asistin e golit të fitore prej Til, pavarësisht se në ekip ndodheshin Herri Kejn, Leroi Sane apo Xhamal Musiala.
“ARKITEKTI”-Frazat e Tomas Mylerit përpara testit miqësor të kombëtares ndaj Meksikës, se ai nuk ishte i përfshirë edhe në mbrojtje, shpjegim se ai është i gatshëm të sakrifikohet, ndonëse tiparet profesionale nuk kanë asnjë lindhje me repartin defensiv, i cili përpiqet të shërbejë si shembull për lojtarët e rinj. Trajneri i Bajernit e ka rreshtuar protagonistin e mësipërm në dy pozita, si “10”, prapa “pykës” dhe bomber.
Megjithëse golat nuk kanë qenë pikë e fortë deri në këtë fazë të sezonit, krahasimi i 34-vjeçarit krahas “regjisorëve” në grup si Musiala apo Kimish është për t’u lavdëruar. Askush nuk ka të dhëna më të larta se ai në krijimin e shanseve, madje Bruno Fernandesh ka karakteristika më të profilizuara si mesfushor, element që tregon se Myleri di të jetë i rëndësishëm, pavarësisht nëse shënon apo jo, kush është “pyka” dhe se cili qëndron në pankinë.