Pas Alen Sherrit që tashmë po konfirmohet si një portier me shumë perspektivë, tek Akademia Vllaznia po rritet një tjetër portier me shumë të ardhme.
Bëhet fjalë për Kristi Qarrin i cili aktualisht luan me ekipin U-19. Paraqitjet e tij nga ndeshja në ndeshje kanë qenë për t’u vlerësuar dhe më e fundit, ajo në Kazakistan ndaj Astanës në ndeshjen e vlefshme për “Uefa Youth League” ka qenë vërtetë mbresëlënëse.
Kjo evidentohet edhe në fjalët e drejtorit të Akademisë Qashif Hoxha kur shprehet: “Lojtari më i mirë në ndeshjen që luajtëm në Kazakistan ka qenë padyshim Kristi Qarri.
Një portier i cili ka qenë vendimtar me disa pritje që ka bërë. Kemi të bëjmë me një sportist me shumë të ardhme. Ai është rritur tek Akademia Vllaznia, ka ardhur qysh 10 vjeç dhe ia dimë mirë vlerat.
Familja ka sakrifikuar shumë për të dhe shpresoj që tashmë po vjen momenti për t’ia shpërblyer. Jam i bindur se kemi të bëjmë me një portier me shumë të ardhme që do t’i shërbejë padyshim Vllaznisë në të ardhmen”.
© shkodrasport.com