Pas pritjeve të shkëlqyera në Kazakistan, portieri i Vllaznia U19 ka bërë të njëjtën gjë edhe në takimin e sotëm për kampionat ndaj Tiranës.
Në disa momente të rrezikshme para portës së tij, ka arritur t’i neutralizojë si duhet kundërshtarët. Megjithatë momenti më vendimtar do të ishte ai i minutës së 89-të.
Një top i ardhur nga e djathta e sulmit të Tiranës, ka shkuar në qendër të zonës, aty ku një nga futbollistët e Tiranës ka dalë i vetëm përballë Qarrit.
Të gjithë kanë menduar se do ishte gol dhe kësisoj ndeshja do të përfundonte në barazim 1-1, por nuk ka ndodhur kështu. 18 vjeçari i portës kuqeblu ka bërë një pritje spektakolare duke mbajtur të paprekur portën e tij.
Kjo ka gëzuar të gjithë shokët e skuadrës, tifozët por natyrisht edhe trajnerin Luan Zmijani. Ky i fundit zakonisht është “shumë i ftohtë” dhe nuk ka dëshirë të lavdërojë askënd por sot ka bërë një përjashtim.
“Qarri tregoi edhe njëherë tjetër se është një nga pikat tona më të forta. Dhe jo vetëm në këtë ndeshje, por është e treta rradhazi kur ai tregohet i shkëlqyer me pritjet e tij duke konfirmuar edhe njëherë tjetër se është një portier me shumë të ardhme”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com