Portieri i dytë i Vllaznisë, Kristi Qarri, do të jetë në fushë nga minuta e parë në formacionin e Vllaznisë, ditën e sotme në ndeshjen ndaj Flamurtarit, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Për këtë përballje, siç duket, portieri shkodran ka marrë besimin e stafit teknik dhe të trajnerit Mirel Josa, ashtu si në ndeshjen e parë në Vlorë.
Në fakt, 21-vjeçari ka kohë që është pjesë e Vllaznisë, si titullar dhe kampion me ekipin U-19 dhe më pas me U-21, teksa ka qenë pjesë edhe e të gjitha Kombëtareve të moshave. Deri më tani, Qarri ka marrë vlerësime maksimale në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, qoftë për moshat e Vllaznisë apo edhe për ekipin e parë shkodran.
Megjithatë, ditën e sotme, duke e nisur nga minuta e parë, Qarrin e pret një sfidë e fortë dhe e rëndësishme, siç është kjo me Flamurtarin për Kupë, teksa nuk do të jetë e lehtë as për të. Më parë, në ndeshjet që ka luajtur, 21-vjeçari ka treguar se ia ka dalë me sukses dhe një gjë të tillë, do të kërkojë edhe ditën e sotme ndaj vlonjatëve.
Në fakt, ai ka kohë që pret momentin e tij dhe pak nga pak, duket se po merr edhe vëmendjen e duhur. Kristi Qarri ka treguar se di ta bëjë jashtëzakonisht mirë punën e tij, por në të njëjtën kohë, ka marrë edhe vlerësime maksimale nga specialistët e futbollit sa herë ka luajtur.
Maringlen ZHIVANI