Lajmet e mira për boksin shkodran janë rikthyer sërish. Nga ai pesimizmi i ditëve të fundit kur trajneri Zef Gjoni deklaronte se sivjet Vllaznia nuk do ishte pretendente për titullin kampion, tashmë gjërat kanë ndryshuar.
Meritën për këtë mbi të gjitha e ka një shkodran: Kristian Demaj. Shtatë herë kampioni i vendit ka lënë Gjermaninë ku jeton bashkë me familjen prej disa kohësh dhe është rikthyer në Shqipëri për të përfaqësuar Shkodrën dhe Shqipërinë në garat e kampionatit kombëtar që startojnë nesër.
Bashkë me të, të njëjtën gjë ka bërë edhe Rexhildo Zeneli, një tjetër boksier i talentuar dhe të dy sëbashku do t’i bashkohen formacionit kuqeblu në kampionatin e rradhës.
Me këto dy boksierë padyshim që tashmë Vllaznia ka marrë tjetër formë dhe trajneri Gjoni në prononcimin e tij tashmë deklaron tjetër gjë. “Me ardhjen e këtyre dy boksierëve, që u mundësua nga firma “AlbTiefbau” që vazhdon t’i gjendet pranë boksit shkodran, jam i bindur se do të pretendojmë fort për të sjellë sërish në Shkodër titullin kampion”.
Për Demajn nëse shpallet kampion në peshën e tij 91 kg, ky do të ishte titulli i tetë kampion, çka e bën atë që të renditet në mes sportistëve që kanë shkruar historinë e këtij sporti në vendin tonë.
© shkodrasport.com