Një histori vërtetë e veçantë ajo e boksierit Kristian Demaj. Shkodrani është vetëm 26 vjeç, kampion i padiskutueshëm në këtë sport burrëror, një nga emrat më të spikatur të kombëtares shqiptare megjithatë pak kohë më parë ka marrë një vendim vërtetë të habitshëm: Të lërë sportin dhe të merret me politikë! Duket se nuk ka shumë logjikë në këtë mes, por Demaj e ka marrë vendimin, mbase përfundimtar.

“Me sport nuk ke asnjë të ardhme edhe nëse je kampion i padiskutueshëm. Për këtë arsye zgjodha të merrem me politikë sepse aty po më vlerësojnë dhe mbi të gjitha duke qenë aty, mund të ndikoj për ndryshimin e politikës së sportit”- thotë ai në prononcimin e tij për “SHKODRA SPORT”. Sportdashësit ndoshta do të ndihen të zhgënjyer nga ky vendim që ka marrë boksieri i tyre i preferuar i ringut. Ai që me goditjet e tij të forta, i vinte gjithmonë në vështirësi kundërshtarët, madje në jo pak raste duke fituar edhe me nokaut ndaj tyre. Gjithsesi të merresh me sport duket se jo vetëm është sakrificë por edhe më shumë sesa kaq. Dëmtimet e ndryshme që mund të pësosh gjatë karrierës sportive dhe që sidomos në boks janë të shumta, kuptohet që e kanë mërzitur edhe më shumë Demajn. “Për moshën që kam them se kam marrë maksimumin nga sporti. Ndonëse jam vetëm 26 vjeç, kam fituar 7 tituj kampion me të rriturit, kam marrë 39 medalje në turne të ndryshëm ndërkombëtare dhe 10 kupa si boksieri më i mirë. Po ashtu, për tre vite me rradhë kam qenë edhe pjesë e ekipit meksikan gjysmëprofesionit “Mexico Guerreros”. Duke bërë këtë bilanc, shumëkush më pyet çfarë ke përfituar nga ana financiare? Dhe në fakt nuk di si t’i përgjigjem sepse realisht kam përfituar shumë pak, vetëm disa trajtime ushqimore mujore që nuk shërbejnë për asgjë. Por mirë që nuk kam përfituar gjë por duhet ta dini se kam jo pak pasoja nga sporti. Kam disa dëmtime, të ligamentit, të meniskuut dhe në hundë, për të cilët do jem i detyruar që në të ardhmen t’i nënshtrohem ndërhyrjeve kirurgjikale dhe a e dini sa do më kushtojnë: Plot 10 milionë lekë! Në këto kushte, më thoni ju, a ja vlen ta vazhdoj më sportin”?

Boksieri i peshave të rënda (ka konkurruar kryesisht në peshat 81 dhe 91 kg ku ka qenë i padiskutueshëm) është i mërzitur sepse sheh që askush nuk e ka mendjen tek sporti. “Me futbollin ndoshta është disi ndryshe por di të them se me shumësportëshin po gabohet rëndë. Ai është në një rënie të lirë prej vitesh dhe po shkon drejt humnerës. Sot gjithëkush bëhet drejtues, gjithëkush bëhet trajner, gjithëkush bëhet sportist, madje edhe mjek bëhet gjithëkush. Kjo nuk mund të sjellë kurrsesi sport cilësor prandaj thashë që ai po shkon drejt humnerës dhe askush nuk po përpiqet ta ndalojë”- shprehet më tej njeriu që i ka kushtuar pjesën më të rëndësishme të rinisë së tij sportit të tij të preferuar, boksit. Kristiani flet dhe duket qartë se tek ai ka vërtetë keqardhje sepse të jesh i detyruar të lërë sportin në moshën më të mirë kur ke ende shumë për t’i dhënë atij, është paksa absurde. “Jam vërtetë i zhgënjyer nga sporti dhe nëse doni ta dini, kështu kam filluar të ndjehem kur fillova të bëja boks për ekipin meksikan. Sa mirë më bëri në aspektin profesional aktiviteti në Ligën gjysmëprofesioniste me “Mexico Guerreros”, aq keq më bëri në aspektin tjetër se më demoralizoi për të ardhmen. Fillova të kuptoj sa larg jemi ne në Shqipëri në vlerësimin për sportin dhe sportistët edhe duke u krahasuar me një vend si Meksika që në fund të fundit nuk është në pararojën e sportit botëror”- deklaron Demaj. Mirë që ka vendosur ta lërë sportin, po pse në politikë që në këtë moshë? Përgjigja e tij është e menjëhershme: “Arsyeja pse zgjodha politikën është falë një njeriu: Agron Çelës, deputetit të Shkodrës. Në vitin 2014, kur unë isha vetëm 23 vjeç, nisur nga emri që kisha prej sportit, më bëri një ftesë për t’iu bashkuar forcës politike LSI. Dhe që prej atij momenti, gjithnjë më kanë respektuar dhe vlerësuar. Për këtë arsye, jam i angazhuar tashmë maksimalisht në politikë. Një arsye pse zgjodha këtë rrugë është se duke qenë pjesë e politikës, mund të rregulloj sportin. Nuk kam për ta ulur asnjëherë zërin derisa sporti shqiptar të marrë atë vlerësim që duhet dhe në mënyrë që ëndërra e shumë sportistëve si puna ime, të mos ndërpritet në mes”.

© shkodrasport.com