Ka rezultuar i pafat boksieri shkodran Kristian Demaj edhe në ndeshjen e sotme të vlefshme për Ligën gjysmëprofesioniste WSB, atë të zhvilluar në Kazakistan. Si pjestar i ekipit Mexico Guerreros, ai është ndeshur me boksierin vendas Vasilii Levit dhe është mundur prej tij me rezultatin 0-3. Demaj ka qenë i pafuqishëm përballë boksierit me shumë përvojë që ka qenë kundërshtar i tij në këtë takim të zhvilluar në Kazakistan dhe ka qenë për peshën 91 kg. Ndonëse e ka filluar mbarë ndeshjen duke fituar raundin e parë por vetëm kaq. Në raundet e tjera, kundërshtari i tij ka qenë fitues dhe kjo ka bërë që gjyqtaria në fund të japë edhe fitoren për Levit.
Kjo nuk ka qenë një ditë e mirë për ekipin Mexico Guerreros sepse përveç Demajt kanë humbur edhe tre boksierë të tjerë ndërkohë që ka fituar vetëm 1. Megjithatë me rezultatin e përgjithshëm 4-1 për ekipin vendas Arlans është mbyllur kjo ndeshje dhe ekipi meksikan pas tre javësh të kësaj Lige, ka mbetur në vendin e parafundit në grup me zero pikë duke qenë larg pretendimeve të veta. Edhe për Demajn nuk ka nisur mbarë pjesmarrja e sivjetme me këtë ekip duke rregjistruar kështu edhe humbjen e katërt në po kaq ndeshje të zhvilluara në Word Series Boxing.
© shkodrasport.com