Vetëm pak kohë më parë, në një intervistë ekskluzive për gazetën tonë, kampioni i njohur i boksit Kristian Demaj do deklaronte se ishte duke i dhënë lamtumirën sportit të tij të preferuar ngaqë nuk shihet asnjë perspektivë në të. Për këtë arsye, ai do të shtonte se kishte vendosur t’i përkushtohej politikës, ku ndihet më mirë dhe më i vlerësuar. Por ky qëndrim “larg” boksit ka zgjatur shumë pak. Shtatë herë kampioni i vendit ka marrë vendimin për t’iu rikthyer sërish stërvitjes. E konfirmon edhe në një prononcim për “SHKODRA SPORT” kur thotë: “Nuk mund të qëndroja dot larg pasionit të madh të jetës time. Ndonëse isha mërzitur disa kohë, vendosa të rikthehem. Kuptohet që më duhet shumë punë për trikapur formën time më të mirë megjithatë jam i vendosur ta bëj këtë gjë. S’mund të duroja dot të shikoja boksierë të tjerë që “gëzoheshin” ngaqë unë do largohesha. Jam vetëm 26 vjeç dhe kam ende shumë për t’i dhënë këtij sporti. Nuk arrija ta imagjonoja dot veten duke parë të tjerët të më merrnin titujt kampion dhe unë të qëndroja pasiv. Do jem sërish në ring për t’i dhuruar tifozëve të mi kënaqësi dhe fitore bindëse siç kam bërë gjithmonë. Kam qenë dhe do jem kampion edhe për disa vite të tjera”. Natyrisht që boksi shqiptar ka nevojë për këtë sportist sepse është ndër më të mirët që ai ka nxjerrë këto vitet e fundit. Lajmi për rikthimin e tij natyrisht që do të jetë pritur mirë nga të gjithë. Demaj ka nisur stërvitjen me ekipin e Vllaznisë dhe po mundohet të kapë formën e tij më të mirë në mënyrë që kur të ngjitet në ring sërish, të jetë siç ka qenë gjithmonë…KAMPION.

© shkodrasport.com