Problemet në marrjen e vizës kanë kaluar për boksierin shkodran Kristian Demaj. Ai ka gati një muaj që ndodhet në Meksikë ku ka vazhduar stërvitjen me ekipin e tij dhe ditët e fundit, ka patur problem marrjen e vizës angleze por edhe kjo pengesë ka kaluar sepse e ka marrë vizën pasditen e së mërkurës dhe menjëherë është nisur drejt Londrës për t’iu bashkuar ekipit të tij Mexico Guerreros në përgatitjet e fundit për përballjen me British Lionhearts. Demaj kësisoj tashmë është gati për ndeshje. Ballafaqimi në mes këtyre dy ekipeve do të nisë në orën 20.00 të mbrëmjes së nesërme dhe ndeshja e boksierit shkodran do të jetë e treta. Që do të thotë se ajo parashikohet të nisë rreth orës 21.00. Përballë tij do të jetë irlandez Joseph Ward. Ky i fundit duket një boksier shumë i fortë dhe jo më kot është i treti në ranglistën e peshës deri 85 kg ku ata të dy boksojnë. Megjithatë Demaj në një prononcim të shkurtër dhe ekskluziv për gazetën online shkodrasport.com është shprehur: “E kam të qartë se kundërshtari është shumë i fortë megjithatë do të mundohem të bëj më të mirën për të arritur fitoren time të parë në boksin profesionist. Kjo periudhë që u stërvita në Meksikë më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për rritjen e formës time dhe kam besim se do paraqitem mirë në këtë ndeshje”.
wwwshkodrasport.com