I lumtur në maksimum për trofeun e fundit të fituar, atë të “Gongut të Artë”, boksieri shkodran Kristian Demaj e konsideron një relike të veçantë dhe jo më kot krenohet me të. Natyrshëm, ka të drejtë. Ai është i vetmi shqiptar që e fiton këtë trofe në 22 vite pjesmarrje dhe ky është një sukses i madh. Duke folur në lidhje me të, për gazetën “Sport Plus” medalisti i artë i Shkupit në peshën 91 kg, do të thoshte: “Mendoj se ka qenë një sukses i madh. Në fakt, gjyqtaria, specialistët dhe gjithë trajnerët ishin unanim në vendimin e tyre për të ma dhënë këtë trofe mua. I kanë ndjekur me vëmendje të dyja sfidat që kam zhvilluar dhe duke llogaritur edhe nivelin e lartë të kundërshtarëve, jo më kot, më vlerësuan me trofeun e “Gongut të Artë”. Jam krenar që bëhem i pari shqiptar fitues i tij. Kjo nuk është pak dhe unë jo më kot, e konsideroj një trofe të rëndësishëm në karrierën time. Për të mos thënë më të rëndësishmin”. Po, a ka qenë e lehtë fitorja e këtij trofeu në Shkup? 23 vjeçari shkodran nuk mendon krejt kështu, madje vlerëson edhe nivelin e lartë të këtij aktiviteti edhe në edicionin e sivjetëm e për këtë thotë: “Rivaliteti besoj se ka qenë i madh edhe në edicionin e sivjetëm. Ka pasë shumë boksierë cilësorë pjesmarrës, ku dalloheshin bullgarët, kishte edhe anglezë e të tjerë. Fakti që merrnin pjesë sportistë nga 10 vende të Europës, është tregues i qartë i nivelit të lartë që kishte edhe ky edicion prandaj mendoj se fitorja ime merr edhe më shumë vlera kur mendon se kë kisha përballë”. Dy muajt e fundit kanë qenë shumë të mbarë për Demajn. Në fund të shtatorit, është shpallur kampion i Shqipërisë dhe njëkohësisht boksieri më i mirë i kampionatit. Pak ditë më vonë, u bë pjesë e ekipit “Podgorica Falcons” që militon në Euroligë dhe brenda një muaji ka zhvilluar tre ndeshje, duke fituar dy prej tyre, pikërisht ndaj boksierëve që ishin ndër më të mirët e kontinentit. Duket se boksi shqiptar çdo vit e më shumë po njeh rritje. Medalje në Europianët e moshave, medalje në të gjithë turnetë ndërkombëtarë që zhvillohen e kjo nuk është pak. I pyetur se cili do ishte objektivi i rradhës, boksieri kampion Kristian Demaj do të thoshte: “Kam provuar të fitojë shumë trofe, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kam marrë pjesë edhe në rradhët e ekipit “Mexico Guerreros” në ligën gjysmëprofesioniste, po konkurroj edhe në Euroligë dhe po ashtu, sapo mora edhe “Gongun e Artë”. Nuk kam dëshirë të ndalem këtu dhe objektivi im i rradhës është të futem në zonën e medaljeve në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm. Deri më tani këtë gjë nuk e ka arritur askush dhe unë do tentoj. Të gjithë po konstatojmë se niveli i boksit shqiptar ka ardhur duke u rritur. Kjo falë punës së palodhur të vetë sportistëve por edhe përkushtimit të trajnerëve të cilët po sakrifikojnë jo pak. Natyrisht, sa i takon kushteve që na ofrohen dhe mbështetjes që na jep Federata apo shteti, jemi shumë larg me kundërshtarët tanë europianë por përsëri ne do tentojmë të matemi me to si të barabartë”. Kristian Demaj është ndër emrat më të rëndësishëm të boksit shqiptar aktualisht dhe për këtë arsye, meriton më shumë vëmendje nga të gjithë. Në mënyrë që nesër të krenohemi me të edhe në Europë.
Gjergj KOLA