Boksieri shkodran Kristian Demaj do të jetë pjesë e kombëtares shqiptare që do të marrë pjesë në “Gongun e Artë” që do të zhvillohet  në Shkup të Maqedonisë. Ky aktivitet ndërkombëtar i përvitshëm, organizohet me pjesmarrjen e shumë vendeve të botës dhe në fakt çdo vit sportistët shqiptarë kanë arritur të tregojnë vlerat e tyre dhe të hyjnë në zonën e medaljeve ndonëse rivaliteti ka qenë shumë i madh. Këtë vit, Shqipëria do të përfaqësohet me disa prej boksierëve të saj kampionë dhe pikërisht ato të peshave 60, 64, 69, 75, 91 dhe në peshën super të rëndë, pra me boksierët Elsid Kalemi, Arnold Kuqari, Albi Sorra, Alban Barmeta, Kristian Demaj dhe Emilian Xhediku. Natyrisht vëmendja e sportdashësve shkodranë do të jetë e përqendruar tek boksieri Demaj I cili jo më kot, është një nga më të mirët e vendit. Ai ka një përvojë pozitive edhe në “Gongun e Artë” sepse dy vjet më parë ka zënë vendin e parë duke merituar edhe medaljen e artë. Këtë objektiv ai ka edhe për edicionin e sivjetëm që do të zhvillohet në dy ditë, të premten dhe të shtunën në ringun e Shkupit. Forma e tij sportive duket shumë e mirë sepse vjen pas prezantimeve të suksesshme që ka bërë me ekipin e Podgoricës në Euroligë ku ka arritur të fitojë edhe dy ndeshje, ndaj boksierëve me emër të Europës.

Gjergj KOLA