Boksieri shkodran Kristian Demaj prej disa ditësh është duke u stërvitur në Meksikë. Për dikë mund të duket e çuditshme por siç e dimë, boksieri shkodran prej tre muajsh është pjesë e ekipit Mexico Guerreros që merr pjesë në Ligën gjysmëprofesioniste ëSB. Duke qenë kështu, ai ka udhëtuar drejt këtij vendi për t’u bërë gati për ndeshjen e rradhës, atë që do të zhvillohet gjatë këtij muaji.Ekipi i Demës ka fituar të drejtën të kalojë në fazën çerekfinale të kësaj Lige dhe për rrjedhojë gjatë këtij muaji do të jenë dy ndeshjet e rradhës për këtë tur në mes Mexico Guerreros dhe ekipit anglez British Lion Hearts. Ndeshja e parë do të luhet në Londër më 22 mars ndërsa e kthimit pas një jave në Meksiko City. Ende nuk është përcaktuar nga drejtuesit e ekipit meksikan se në cilën ndeshje do të aktivizohet Demaj, në atë të Londrës apo të Meksikës. Kjo gjë do të përcaktohet këto ditë. Megjithatë, lidhur me stërvitjen që po zhvillon në Meksikë, kampioni i padiskutueshëm i boksit shqiptar per gazeten online www.shkodrasport.com do të shprehej: “Jam vërtetë i befasuar me kushtet që kam gjetur këtu. Stërvitem bashkë me ekipin kombëtar të Meksikës në boks në një qendër olimpike dhe vetëm të hysh në të, mbetesh pa mend. Zhvillojmë një stërvitje të fortë por është një staf i tërë që na qëndron pranë. Habitem sesi drejtuesit e boksit shqiptar por edhe ato të sportit në tërësi në vendin tonë kur kërkojnë rezultate nga ne kur stërvitemi në kushte që është pak e vështirë të konsiderohen normale megjithatë gjithnjë jemi munduar të bëjmë më të mirën dhe besoj se e kemi justifikuar plotësisht”. Për Demën kjo e kësaj here do jetë e treta në boksin profesionist dhe ai natyrisht që do kërkojë fitoren e parë pasi në dy të tjerat është mundur me pikë ndaj kundërshtarëve shumë të fortë, një bjellorusi në ndeshjen e parë dhe një rusi në ndeshjen e dytë.

Gjergj KOLA

Boksieri shkodran Kristian Demaj (ne rreth) gjate grumbullimit me ekipin meksikan