Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë mbajti sot Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, ku Kristian Gjidodaj u rizgjodh si kryetar i SHRF Lezhë për katër vitet e ardhshme. Të pranishëm në këtë Asamble Zgjedhore ishin 11 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 18 delegatë dhe të gjithë vendosën në unanimitet të plotë që kryetari Kristian Gjidodaj të vazhdojë punën e nisur për zhvillimin e futbollit në këtë zonë.
Gjithashtu, u diskutuan edhe pikat e tjera të përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2025, zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFL-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, si edhe ndryshimin e emblemës.
Në punimet e Asamblesë Zgjedhore të Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë ishte i pranishëm edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i cili në nisje të punimeve i përgëzoi anëtarët e SHRF Lezhë për punën e mirë dhe i inkurajoi që të vazhdojnë përpara në të njëjtën mënyrë për të zhvilluar akoma më shumë futbollin në këtë rajon.
Anëtari i KE-së, Abdyl Kuriu, theksoi se mbështetja e FSHF-së për SHRF Lezhë do të jetë akoma më e madhe përmes projekteve të ndryshme dhe investimeve infrastrukturore.
“Është një privilegj të jem sot këtu në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë. Pjesëmarrja jonë tregon angazhimin për të vijuar punën e nisur, duke reflektuar mbi arritjet dhe sfidat përpara.
Së pari, dua t’ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që keni bërë gjatë këtij viti në rajonin e Lezhës, të gjithëve ju, por në veçanti kryetarin e kësaj shoqate, z.Kristian Gjidodaj. Dua t’ju inkurajoj që të vazhdoni të punoni me të njëjtën dëshirë e zell, të përkushtoheni po kaq shumë sa gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm të keni edhe më shumë arritje dhe përmbushje të objektivave tuaja.
Fokusi ynë mbetet rinia, grassroots dhe zhvillimi i futbollit të vajzave, duke vijuar me projekte si “UEFA Playmakers” dhe “100 fushat” për përmirësimin e infrastrukturës sportive.
Prej disa vitesh tashmë, një nga prioritetet tona kryesore është mbështetja e futbollit të vajzave, ku një pjesë jo e vogël e buxhetit tonë shkon në drejtim të këtij sektori. Gjithkush ka të drejtën të luajë futboll dhe ne si FSHF mbështesim këdo që do të bëhet pjesë e këtij sporti. Dua t’ju kujtoj që masivizimi është sfidë që kërkon kontributin e gjithsecilit prej nesh, edhe tuajin, për të qenë në pararojë të zhvillimeve sportive në vend.
Sfidat dhe objektivat afatgjata përfshijnë ndërtimin e një qendre rajonale për të gjithë zonën. Çdo vështirësi duhet shfrytëzuar si mundësi për të krijuar mundësi të reja, duke përfshirë bashkëpunime për projekte të rëndësishme, sigurimin e sponsorëve dhe krijimin e hapësirave të tjera për të maksimizuar përdorimin e këtyre burimeve në shërbim të futbollit.
Shoqata me mbështetjen e secilit prej nesh, duhet të forcojë bashkëpunimin me pushtetin vendor, me qëllim jo vetëm zhvillimin e bashkëpunimit, por edhe për të siguruar që ky bashkëpunim t’i shërbejë komunitetit të futbollit. Çdo bashki, sipas prioriteteve të saj, mund të ofrojë mundësi për projekte dhe thirrje që mbështesin futbollin; le t’i shohim ato si mundësi për forcimin dhe zhvillimin e këtij sporti në këtë rajon”, – tha anëtari i KE-së, Abdyl Kuriu.