Nëse kombëtarja shqiptare aktualisht është e mbushur me futbollistë kosovarë të cilët marrin pasaportën shqiptare dhe vishen kuqezi, pas pak vitesh, ata do të zëvendësohen me të tjerë futbollistë nga Shqipëria. Të lindur këtu ose që diku jashtë vendit nga prindër emigrantë. Ato po rriten dhe po formohen gradualisht nëpër vende të ndryshme të Europës dhe brenda pak vitesh do të jenë një garanci e madhe edhe për Kombëtaren tonë.
Një prej tyre mund të jetë edhe 15 vjeçari Kristian Paloka. Ai i datëlindjes 7 mars 2002, ai ka lindur në Velipojë por që në moshë të vogël ka emigruar bashkë me familjen e tij në Itali. Angazhohet me futbollin në moshë të vogël duke luajtur në disa Akademi, së fundi në atë të Ankonës ku spikati për lojën dhe golat që shënon. Fakti që është sulmues, e bën të bjerë më shpejt në sy të menaxherëve dhe specialistëve të futbollit dhe jo më kot, në verën që sapo lamë pas, drejtuesit e klubit të Veronës e kanë bindur të firmosë për ta.
Firma me këtë klub do të jetë një mundësi më e mirë për futbollistin e talentuar shqiptar, pasi Verona ka një prej akademive më të njohura në Itali. Ndërkohë që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar ai është pjesë edhe e ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë për moshat. Fillimisht u ftua për t’u bërë pjesë e grumbullimeve të kombëtares U-15 ndërsa tashmë është vënë nën urdhërat e trajnerit Xhemal Mustedanagiç me kombëtaren U-17 dhe duket se ka një të ardhme të ndritur në këtë sport. Me siguri që brenda pak vitesh atë do ta shohim duke luajtur nëpër ekipe të klubeve të njohura të Italisë por edhe jashtë saj si dhe një pikë të rëndësishme të kombëtares shqiptare.
Gjergj KOLA