Kombëtarja U17 e Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit Elvin Beqiri prej tre ditësh ka nisur grumbullimin në Durrës, para se të niset drejt Turqisë ku do të marrë pjesë në një turne që do të zhvillohet atje. Interesant është fakti se pjesë e kësaj kombëtareje përveç tre shkodranëve që luajnë këtu, është edhe një shkodran tjetër.

Bëhet fjalë për portierin Kristian Rroku i cili luan në Greqi me Akademinë e klubit të njohur Olimpiakos. Ai në fakt ka lindur në Greqi pasi prindërit e tij kanë emigruar pas vitit ’90 nga Shkodra në Greqi. Të dhënat e Rrokut duken të shkëlqyera dhe kemi të bëjmë me një portier të së ardhshme.

Trajneri i portiereve te kësaj kombëtareje Ideal Lekiqi flet me konsideratë për këtë portier ndonëse ka vetëm pak ditë që e stërvit. Në këtë mënyrë, interesant është fakti se ndër tre portierët e kësaj kombëtareje, dy janë nga Shkodra, Kristian Rroku dhe Enis ujkaj.

Portieri tjetër është durrsaku Erion Bekteshi i cili edhe ai luan në Greqi por me AEL Larisa. Në këtë mënyrë, duket qartë se e ardhmja e portës kuqezi do t’i takojë shkodranëve. Megjithatë e rëndësishme është që ata të vazhdojnë të luajnë mirë në ekipet aktuale, pjesë e të cilëve janë.

Kristian Rroku është një pikë e rëndësishme e Olimpiakos U16 dhe drejtuesit e klubit grek e konsiderojnë një investim për të ardhmen. Kuptohet që nga kjo do të përfitojë edhe kombëtarja jonë.
Gjergj KOLA