Kombëtarja e Shqipërisë në boks ka marrë pjesë në një aktivitet të zhvilluar mes vendeve të Rajonit në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës për të përkujtuar të rënët në masakrën e Srebenicës para 21 vjetëve. Në këtë memorial Shqipëria është përfaqësuar me tre boksierë ndërkohë që kanë marrë pjesë edhe vende si Kosova ,
Mali i Zi, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Maqedonia të cilat kanë konkuruar në këtë turne. Kuqezinjtë janë përfaqësuar me Kristian Shytanin në peshën 64 kilogram, Asmer Bilalin në 69 kilogram dhe Bekim Vjerdhën në peshën 81 kilogram. Boksieri i peshës 64 kilogram ka arritur të fitojë të dyja ndeshjet duke mundur kundërshtarët që ka patur përballë dhe përveç vendit të parë në peshën e tij, në fund të aktivitetit është cilësuar si boksieri më teknik i memorialit. Ndërsa Bilali e Vjerdha kanë humbur që në takimet e para. Për këto dy humbje kuqezinjtë kanë kundërshtuar duke pretenduar se gjyqtaria ka dhënë një verdikt të padrejtë kundër shqiptarëve. Megjithatë Kombëtarja e boksit nuk është larguar duarbosh nga Sarajeva sepse Shytani me gjithë vështirësitë ka arritur të rrëmbejë vendin e parë si dhe vlerësimin si më tekniku. Tashmë Shqipëria po përgaditet për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet me 26 shtator dhe do të vijojë per 10 ditë me radhë. Nga vendi yne marrin pjesë tre boksierë, Asmer Bilali, Kristjan Demaj dhe Xhuljo Vrenozi të cilët synojnë një paraqitje të denjë. Kombëtarja do të drejtohet si zakonisht nga trajneri shkodran Zef Gjoni. Ndërsa me 29 shtator një grup tjetër boksierësh të drejtuar nga Jozef Sermi janë të ftuar në Prishtinë për të marrë pjesë në një turne Rajonal, nga ku edhe aty do të synohet një rezultat pozitiv.