Në Madrid mund të thonë sa të duan se nuk ia ndjejnë mungesën e Kristiano Ronaldos por shifrat thonë plotësisht të kundërtën. Portugezi ishte kontribuuesi kryesor i Realit sa i përket golave të shënuar. Kjo tregohet edhe nga fakti se pavarësisht se ka ndryshuar ekip në verë, vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës në vitin kalendarik.

Shifrat tregojnë se Ronaldo ka luajtur vetëm 5 muaj te Real Madrid (nga janari në maj) dhe në këtë periudhë ka shënuar 28 gola në 22 takime, duke mbajtur vendin e parë në renditjen e vitit për këtë klub. Pas tij gjendet Garet Bejl, me 1 gol më pak. Por uellsianit iu deshën 48 ndeshje për të arritur në shifrën e 27 golave.

Shumë i shkëputur vazhdon Karim Benzema në vendin e tretë, me 18 gola në 53 takime, ndërsa më pas golashënuesi i katërt më i mirë në këtë vit është Serxhio Ramos, me 10 gola të shënuar në 44 ndeshjet e luajtura. Askush tjetër nuk ka shënuar 10 apo më shumë gola në radhët e Realit gjatë gjithë vitit 2018. /vipsport/