Vetëm nënte muaj më parë, Kristjan Asllani ishte një futbollist i Empoli, i cili ende nuk ishte ngjitur në Seria A. Sigurisht që, shqiptari 20-vjeçar nuk mund ta imagjinonte që do të vazhdonte të bëhej futbollist i Interit në një kohë kaq të shkurtër.

Asllani u prezantua me mbështetësit e tij të rinj gjatë një interviste ekskluzive për Inter TV. Ai u shpreh se është një ndenjë e mahnitshme të luash për Interin, ndërsa theksoi se do të japë gjithçka për këtë ekip.

“Ndjenjë e mahnitshme. Unë jam vetëm 20-vjeç dhe të kem shansin për të përfaqësuar këtë klub është vërtet e veçantë. Mezi pres që sezoni të fillojë dhe do të përpiqem të jap gjithçka.

Nuk mund ta imagjinoja kurrë. Unë u largova nga Shqipëria kur isha dy-vjeç dhe erdha në Itali. Të gjithë shkollimin e kam bërë në Itali, si edhe futbollin e kam nisur këtu. Nuk mund ta imagjinoja kurrë që kjo të ndodhte.

Nuk do të thosha se kisha një idhull të veçantë, por është e vërtetë që gjithmonë kam pasur një top me vete. Unë shikoj sa më shumë ndeshje që mundem, sepse përpiqem të ndjek dhe të frymëzohem nga një sërë mesfushorësh. Më pëlqen ta bëj këtë. Tani, kam mundësinë të luaj përkrah Marçelo Brozoviç, i cili është një mesfushor i jashtëzakonshëm.

Për momentin nuk kam ndonjë objektiv specifik. I marr gjërat hap pas hapi, por jam shumë i lumtur që kam bërë debutimin tim në moshë të re. Dua të falënderoj Empolin. I detyrohem shumë klubit, por tani jam tek Inter. Do të doja të jap gjithçka këtu.

Goli im i parë në Seria A kundër Interit në San Siro, një shenjë? Ndoshta, kjo është e vërtetë. Kam shënuar golin tim të parë në San Siro dhe kam qenë i kënaqur me këtë, por ndoshta jam edhe më i lumtur tani. Unë thjesht do të doja që, tifozët të na japin sa më shumë mbështetje që munden”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori shqiptar i Interit, Kristjan Asllani.

Maringlen ZHIVANI