Sezoni i ri futbollistik do të ngrejë siparin këtë të premte, me sfidën mes kampionëve në fuqi të Tiranës dhe Kukësit, e cila do të luhet në stadiumin e këtyre të fundit. Në lidhje me këtë, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Kristo Thoma, i cili u shpreh se skuadra për tu mundur është Tirana, pasi vjen me petkun e kampionit.

Më tej ai shtoi se ekipet pretendente kanë bërë disa lëvizje të rëndësishme në merkato, me përjashtim të Teutës, për të cilët tha se kanë bërë merkato zhgënjyese deri tani.

Gjithmonë skuadra për tu munduar është ajo që është kampion. Pas Skënderbeut, skuadrat që kanë fituar titullin, në sezonin pasardhës kanë zhgënjyer. Është ende herët, për të thënë se cila skuadër është përforcuar më mirë. Partizani ka afruar lojtarë interesantë, pas ndryshimit të trajnerit. Partizani futet për titullin. Afrime të rëndësishme ka bërë edhe Vllaznia, në pritje të dokumentacionit të Esat Malës.

Nuk duhet të harrojmë Kukësin, me Skënder Gegën në drejtimin e skuadrës. Nga verilindorët janë larguar shumë lojtarë. Afrimet janë interesante te Kukësi. Pak zhgënjyese mbetet skuadra e Teutës, që i ka besuar një grupi të rinjsh lojtarësh. Mendoj se do të bëjnë disa afrime deri në fund.

Në lidhje me ndeshjen hapëse, Thoma tha se Kukësi-Tirana do të jetë një ndeshje e bukur dhe te verilindorët po e kthejnë në festë.

Presim të shikojmë të dyja skuadrat, si Kukësin dhe Tiranën dhe javë pas javësh, do të zbulojmë se cila është skuadra më e fortë. Në Kukës po e nisin me festë, sepse luajnë në stadiumin e tyre. Do jetë një përplasje shumë e bukur. Në Kukës do të jetë një hapje e bukur e kampionatit.

Shpresoj që skuadrave shqiptare tu ketë shërbyer ajo që ndodhi në Europë. Skuadrat tona, ato që shkojnë në Europë, duhet të bëjnë maksimumin për të shkuar më tej, sepse sgurohen të ardhura për to dhe për kampionatin. Skuadrat që shkojnë në Europë, duhet ta kenë të qartë më parë, për lojtarët me të cilët do të luajnë.

Sa i përket garës për mbijetesë, ai deklaroi se Erzenin e shikon si më të rrezikuar për të rënë nga Kategoria.

Ka ardhur Bylisi me Erzenin në Superiore. Ballshiotët më kanë lënë përshtypje për mirë në miqësoret e fundit. Bylis është me një ritëm të duhur. Më ka bërë përshtypje edhe merkato e Egnatias. Kanë bërë afrime të mira. Kanë më shumë eksperiencë tashmë. Më pak lëvizje Kastrioti, por dihet që Erzeni është skuadra që ka pasur më shumë probleme dhe i shikoj më të rrezikuar për të rënë.