Kombëtarja gjermane po vuan. Brez i dobët lojtarësh, cilësia ka rënë, ndërkohë që katër herë kampionët e botës kanë humbur shumë nga karakteristikat kryesore të së shkuarës.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick, dështoi keq në tri miqësoret e muajit qershor. Dy humbje ndaj Polonisë dhe Kolumbisë, dhe një barazim 3-3 përballë Ukrainës.

Gjithsesi, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf konfirmoi besimin ndaj trajnerit. “Kam biseduar në telefon me Hansi Flick. Ai më siguroi se në muajin shtator do të shohim një Gjermani ndryshe”.

Por, tekniku që i dhuroi Bayernit trofeun e Champions League (2020), nuk ka shumë kohë në dispozicion. Euro 2024 zhvillohet në Gjermani dhe tifozët presin një skuadër konkurruese dhe fituese.

Ndërkohë që kritikat ndaj Flick nuk kanë fund. Drejtori sportiv i Union Berlin, klub që sezonet e fundit ka realizuar objektiva të jashtëzakonshëm. Si kualifikimi në grupet e Champions League për sezonin e ardhshëm.

Dhe një nga lojtarët më të dalluar të ekipit kryeqytetas, është Rani Khedira. 29-vjeçari luan si mesfushor shkatërrues, por bën mirë edhe rolin e qendërmbrojtësit në raste nevoje.

Ai ka luajtur me moshat e Gjermanisë, pa debutuar dot me skuadrën U21. Ndërkohë që nga skuadra e parë nuk ka marrë kurrë ftesë, edhe pse paraqitjet e tij kanë qenë fantastike.

“Stafi teknik i Flick pretendon se ata zgjedhin në Kombëtare më të mirët, duke u bazuar në performancat e lojtarëve. Por, unë e mohoj, nuk ndodh kështu.

Të mos ftosh në mënyrë sistematike Rani Khediran, është e pakuptueshme për mua”, u shpreh Oliver Ruhnert, drejtori sportiv i Union Berlin.