Marco van Basten, sulmues legjendar që shkëlqeu me Ajax-in, Milan-in dhe kombëtaren e Holandës, ka ndarë pikëpamjet e tij kritike për paraqitjet e fundit të sulmuesit të Barcelonës, Robert Lewandowski.
Pavarësisht se kryeson tabelën e golashënuesve të La Liga-s me 16 gola, veterani i Barcelonës po përballet me një periudhë të thatë, duke mos shënuar në tri ndeshjet e fundit.Këto ndeshje përfshijnë dy sfida në kampionat kundër Leganes dhe Atletico Madridit, si dhe një takim në Champions League kundër Borussia Dortmundit.
Van Basten, tashmë komentator për televizionin holandez, nuk kurseu fjalët kur foli për rastin e humbur të Lewandowski-t ndaj Atletico-s.
Rasti erdhi në minutën e 76-të, kur Ferran Torres i dha një asist, por Lewandowski nuk arriti ta kalonte topin përtej portierit Jan Oblak. Sipas ish-‘yllit’ holandez, ky moment pasqyroi vështirësitë e polakut në ndeshjet e fundit.
“Rasti i humbur nga Robert Lewandowski më bën të qaj,” u shpreh ai, siç citohet nga ‘Mundo Deportivo’.
Megjithatë, kritikat e Van Basten-it nuk u ndalën vetëm te Lewandowski. Ai gjithashtu u fokusua te Atletico Madridi dhe qasja gjatë ndeshjes.
Holandezi shprehu zhgënjim me cilësinë e lojës së Atletico-s, duke sugjeruar se performancës së tyre i mungonte ambicia dhe nuk reflektonte standardet e një skuadre të nivelit të lartë.
“Sigurisht që Atletico Madridi është e lumtur, por ata duhet të ndihen të turpëruar kur luajnë kaq keq,” shtoi ai.