Humbja së fundmi në Kupën e Shqipërisë në ndeshjen e parë ndaj Labërisë, por gjithashtu edhe golat e shumtë të pësuar në kampionat e kanë vendosur repartin e mbrojtjes te Vllaznia nën “akuzë”.

Kritikat kanë qenë të shumta, madje edhe vetë trajneri Brdariç ka thënë se kjo situatë duhet përmirësuar patjetër. Si titullar në qendër të mbrojtjes në Kupë luajti për 90-minuta Fallou Dianje, i cili stonoi në disa raste, veçanërisht te goli i dytë i pësuar.

Duke parë reagimet në rrjetet sociale kundër tij, senegalezi ka reaguar me një postim, teksa ka shkruar: “Performanca individuale nuk është e rëndësishme në një skuadër. Ne fitojmë dhe humbasim të gjithë”.