Kursim, kursim dhe kursim. Kjo është politika e Barcelonës e cila po mundohet me çdo kusht të ulë shpenzimet e saj. Dhe etapa e radhës e klubit katalanas ka ardhur edhe me mbylljen e Barça TV.

Më datë 30 qershor, televizioni i klubit katalanas mbyll kontratën me rrjetin Movistar+ dhe nuk do të jetë më në transmetim. Klubi ka bërë përllogaritjet dhe mes rrogave të mbi 150 personave dhe shpenzimeve të tjera përfshirë mirëmbajtjen, ky televizion i kushtonte rreth 14 milionë euro në vit.

Kështu, i jepet fund transmetimeve që filluan në vitin 1996 dhe kthyen Barcelonën në një nga klubet e parë që kishte transmetuesin e saj privat. Barcelona u ka komunikuar prej kohësh punonjësve vendimin, duke argumentuar me krizën financiare mbylljen e televizionit.

Situata në fakt ishte rënduar prej kohësh pasi klubi nuk kishte bërë asnjë lloj investimi dhe punëtorët e televizionit kishin bërë edhe protesta apo greva për të kërkuar përmirësim të kushteve të punës.

Në vend të televizionit, klubi do të mbajë në funksion vetëm “Barça Studios” në mënyrë që të përdorë produksionet e saj për postime në rrjetet sociale ku ka shumë ndjekës.