Futbolli shqiptar, ashtu si në të gjithë botën, po përballet me një krizë të paprecedent si pasojë e ndalesës së të gjithë aktiviteteve. Edhe pse bëhet fjalë për shifra shumë më modeste nga ata që dëgjojmë në kampionatet e tjera, përsëri mbeten të rëndësishme për vendin tonë dhe kanë vënë në krizë të thellë ata që jetojnë nga kjo industri në Shqipëri. Kërkohet ndihmë nga të gjtiha anët, por zgjidhja në fakt do të ishte shumë e thjeshtë, do të mjaftonte që FSHF të hiqte dorë nga luksi për një vit.

FSHF prej dy vitesh ka nisur punimet për të ndërtuar zyrat e reja, në ish-kompleksin Dinamo. Një investim që e ka cilësuar vetë si shumë të rëndësishëm, aq sa ka planifikuar të shpenzojë aty rreth 8 milionë euro (sipas planit fillestar), e bëhet fjalë për ambiente luksi sa edhe vetë presidenti i UEFA-s nuk ngurroi të thoshte se zyra e re e Dukës ishte më e madhe se e tija. Zyrat nuk kanë mbaruar dhe nuk janë kompletuar edne e aq më pak fushat stërvitore apo hoteli që ka në plan të ndërtojë përkrah tyre.

Institucionit të futbollit në vendin tonë i mjafton që të ndalojë për pak kohë këtë investim duke e shtyrë për një periudhë të mëvonshme, pasi të ketë kaluar stuhia që solli në futbollin tonë koronavirusi. Një pjes ëtë parave të destinuar për të, t’i përdorë për të zgjidhur problemet e futbollit shqiptar, pa menduar për momentin për luksin e vet. Futbolli në vendin tonë ka funksionuar edhe pa zyrat e reja të FSHF-së e pa kompleksin e hotelit, e do të vazhdojë të funksionojë edhe nëse kompletimi i tyre shtyhet me një vit. Por nëse FSHF nuk ndërhyn për të ndihmuar klubet e lojtarët, pasojat do të jenë shumë më të rënda siç e pranojnë vetë titullarët e institucionit.

Tani është në dorën e FSHF të zgjedhë nëse preferon të ndihmojë futbollin shqiptar në ditën më të errët apo luksin e vet. Vendimi i saj do të tregojë qartësisht se çfarë kanë më shumë për zemër drejtuesit e këtij institucioni. /vipsport/