Në krye të 20 skuadrave që luajnë në Premier League janë 14 trajnerë të huaj. Kjo situatë është konsideruar si alarmante nga specialistët vendës, që shtojnë faktin se edhe kombëtarja e “3 luanëve”, nga 1 janari do të drejtohet nga një trajner i huaj (gjermani Thomas Tuchel).

Në fakt, nga 6 trajnerët që konsiderohen “anglezë”, vetëm tri janë me këtë nënshtetësi (Sean Dyche, Gary O’Neil dhe Eddie Howe), pasi tri të tjerët janë një skocez (Russell Martin), një irlandez (Kieran McKenna) dhe një uellsian (Steve Cooper).

Ajo që bie në sy është “mësymja” e trajnerëve spanjollë, plot 5 të tillë që drejtojnë skuadrat më të mira në Premier League (Pep Guardiola, Mikel Arteta, Unai Emery, Andoni Iraola dhe Julen Lopetegui). Me ardhjen e Amorim në krye të Manchester United është rritur edhe numri i menaxherëve portugezë, 3 të tillë (Marco Silva e Nuno Espirito Santo dy të tjerët).

Trajnerët e tjerë janë nga Italia (Enzo Maresca), Holanda (Arne Slott), Danimarka (Thomas Frank), Gjermania (Fabian Hurzeler), Austria (Oliver Glasner) dhe Australia (Ange Postecoglou).

Duket se klubet preferojnë më shumë trajnerët e huaj, aq sa për të gjetur trajnerin e fundit anglez që ka fituar titullin në Premier League duhet kthyer shumë pas në kohë. Edhe Frank Lampard e Graham Potter, që u konsideruan si shpresa e madhe, zhgënjyen kur drejtuar në Premier.