Aty ku dhemb më shumë… Në Ligën e Kampioneve, në një skenë ku zakonisht, Reali i Madridit ose del fitues ose del i mundur, por me kokën lart, pasi ka bërë gjithçka për të fituar.

Ky skenar ishte shumë larg të qenit i vërtetë në “Anfield”, pavarësisht fjalëve të Ançelotit se skuadra e tij luftoi, u përpoq… Më shumë se sa fjalët janë fytyrat e vrenjtura në Madrid për të kuptuar se kundër Liverpulit ata kanë parë një ferr me sy, ku vetëm Kurtua i ka shpëtuar fytyrën. Minutat e përjetuara në dhomat e zhveshjes pas humbjes 0-2 në “Anfield” kanë qenë vërtet të trishta.

Gjithkush ishte në kërkim të një shpjegimi të asaj çfarë kishte ndodhur në fushë. Gjithkush i shqetësuar për të kuptuar se cili do të jetë rrugëtimi i Realit në këtë edicion në Champions. Tri humbje radhazi, vendi i 24-t, i fundit që çon në play-off the me tri ndeshje të mbetura deri në fund. Për fat shanset janë aty. Por Reali nuk mund të jetë ai i Liverpulit.

Analiza dhe kërkimi i zgjidhjeve, diçka që është përsëritur gjatë gjithë sezonit, do të vijë nga sot (të mërkurën), por ndjenja që ekzistonte mes drejtuesve të pranishëm në Liverpul është se skuadra ndodhet në momentin më të komplikuar të pesë viteve të fundit dhe nuk është kështu thjesht për shkak të rezultateve, por edhe për ndjesitë, frymën, ato që mund të kishin ndryshuar krejtësisht nëse Mbape do ta kthente në gol penalltinë dhe do të barazonte përkohësisht takimin.

BALLË PËR BALLË PARA FUNDJAVËS Deri më tani kemi folur për frymë e ndjesi, por natyrisht të gjithë e dinë se ku është drejtuar gishti i fajtorit tani. Mbape ka marrë mbi supe shumë mëkate për humbjen në Liverpul, por për presidentin Perez, ndoshta i kryqëzuari mund të jetë Ançeloti. Gazeta “Marca” ka bërë me dije se dy figurat e Realit, presidenti dhe trajneri, Florentino dhe Ançeloti do të kenë një takim ballë për ballë para ndeshjes kundër Getafes.

Ky takim do të zhvillohet gjithmonë disa orë pas turpërimit në “Anfield” kur dhe tensioni të jetë ulur disi. Në atë takim kokë më kokë do t’i thonë njëri-tjetrit se çfarë mendojnë për punën e bërë, por mbi të gjitha do të zbulohet termometri i besimit, i cili deri më tani nuk ishte vënë në dyshim. Ançeloti tha pas ndeshjes se përgjigja e lojtarëve ishte e mirë. Ai ndihet i fortë dhe i etur për ta kthyer situatën, pavarësisht se është i vetëdijshëm se sa e vështirë është kupola e Realit. Ai beson te futbollistët, të njëjtët që sipas Modriç dhe disa të tjerëve janë në krah të trajnerit.

KLUBI – Në klub dhemb duke parë skuadrën në buzë të greminës, por po ashtu kanë filluar të jenë të vetëdijshëm se detyrat që duhet të ishin bërë në verë nuk u kryen dhe se me kaq shumë mungesa si pasojë e dëmtimeve, skuadra është gjendur e zbuluar në disa pozicione kyçe. Njëmbëdhjetëshja që përfundoi ndeshjen kundër Liverpulit është një pasqyrim i asaj që ndodhi në verë dhe asaj që po ndodh fizikisht. Dëmtimet (nuk ka asnjë ndeshje ku nuk shfaqen probleme) kanë vënë alarmin në çështjen e përgatitjes fizike të skuadrës, zonë që është përgjegjësi e Antonio Pintus. Versioni i klubit flet për kalendarin, mungesën e pushimit, por po kërkojnë edhe arsyen pse të gjithë po bien njëri pas tjetrit këtë sezon.